Interi në alarm, Calhanoglu rrezikon finalen e Kupës së Italisë ndaj Lazios
Interi ka marrë një goditje të rëndë në prag të ndeshjeve vendimtare të sezonit, pasi mesfushori Hakan Çalhanoğlu rrezikon seriozisht të humbasë finalen e Kupës së Italisë kundër Lazios.
Lojtari turk, protagonist në përmbysjen ndaj Comos në gjysmëfinale, ku realizoi dy gola dhe dha asistin për golin vendimtar të Petar Sučić, ka pësuar një dëmtim muskulor që vë në pikëpyetje praninë e tij në finalen e 13 majit në ‘Stadio Olimpico’.
Sipas komunikatës zyrtare të klubit zikaltër, Çalhanoğlu iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore në Istituto Clinico Humanitas në Rozzano, të cilat zbuluan një problem në muskulin e pulpës së këmbës së majtë. Gjendja e tij do të monitorohet në ditët në vijim, por sinjalet e para nuk janë optimiste.
Pas barazimit ndaj Torinos, trajneri i zikaltërve, Cristian Chivu, konfirmoi se mesfushori nuk ishte në gjendje të mirë fizike, duke shpjeguar pse nuk e aktivizoi në këtë sfidë, pavarësisht pritshmërive që ai të ishte titullar.
Ky dëmtim duket më serioz nga sa u mendua fillimisht dhe mund të ndikojë jo vetëm në finalen ndaj Lazios, por edhe në fundin e sezonit për Interin. Mungesa e një lojtari kaq të rëndësishëm do të ishte një goditje e madhe për zikaltrit në objektivat e tyre për trofe.