POGRADEC/ Varrezat e Mëmëlishtit drejt mbushjes, banorët: Kërkojmë zgjidhje nga pushteti vendor
Fshati Mëmëlisht në Bashkinë Pogradec po përballet me një problem sa i takon mungesës së hapësirave për varreza. Sipas banorëve, varrezat ekzistuese janë drejt mbingarkesës dhe aktualisht nuk ka më vend për varre të reja.
Ata shprehen se kjo situatë është e njohur prej kohësh nga institucionet vendore, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për zgjidhjen e saj.
Problemi është përkeqësuar ndër vite për shkak të rritjes së popullsisë dhe zhvendosjeve të mëparshme të banorëve nga zona të tjera.
Në veçanti, ardhja e familjeve nga fshatra përreth dhe mungesa e planifikimit për hapësira të reja varrezash kanë sjellë tejmbushjen e territorit ekzistues.
Përballë kësaj situate, banorët janë të detyruar të mendojnë zgjidhje alternative, përfshirë përdorimin e tokave private për varrime.
Kjo shihet si një zgjidhje e detyruar dhe e përkohshme për një problem që, sipas tyre, duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale.
Ata kërkojnë që të caktohet sa më shpejt një hapësirë e re për varrezat, në mënyrë që të shmangen situata të papërshtatshme dhe të ruhet dinjiteti i ceremonive mortore.
Nga ana tjetër, Bashkia Pogradec ka pranuar ekzistencën e problemit dhe ka bërë të ditur se po punohet për një zgjidhje.
Aktualisht është në përgatitje një projekt që përfshin studime gjeologjike për të përcaktuar zonën e përshtatshme për zgjerimin e varrezave, duke marrë parasysh edhe rrezikun e rrëshqitjeve të tokës.
Pas përfundimit të këtij procesi, pritet të vijojë vlerësimi i pronave dhe konsultimi me pronarët, përpara se çështja të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak.
Megjithatë, pavarësisht këtyre hapave, ende nuk ka një afat të qartë për zgjidhjen përfundimtare të ketij problemi.