Italia miraton ekstradimin e një hakeri të dyshuar për vjedhjen e kërkimeve mbi koronavirusin

Qeveria italiane ka vendosur të ekstradojë një shtetas kinez të akuzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për sulme kibernetike, përfshirë vjedhjen e hulumtimeve mbi Covid-19, raportoi sot Reuters, duke cituar një burim të njohur me rastin.

Vendimi vjen pasi një gjykatë italiane vendosi më parë këtë muaj se Shu Zewei mund të ekstradohet në SHBA, ku ai përballet me akuza për mashtrim kompjuterik dhe vjedhje identiteti.

Ai u arrestua në Milano më 3 korrik të vitit të kaluar me kërkesë të autoriteteve amerikane, të cilat e kanë lidhur atë me sulme kibernetike ndaj universiteteve dhe qendrave kërkimore gjatë pandemisë.

Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, Shu ishte pjesë e një grupi që në vitin 2020 shënjestroi institucionet e përfshira në zhvillimin e vaksinave dhe trajtimeve për COVID-19 , dhe më vonë në operacione të lidhura me spiunazhin kibernetik.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës kritikoi akuzat e SHBA-së, duke thënë se ato ishin raste të motivuara politikisht dhe i bëri thirrje Italisë të rishqyrtojë vendimin.

Avokati i të akuzuarit, Enrico Giarda, tha se klienti i tij ende nuk ka marrë një njoftim zyrtar për ekstradimin, sipas Reuters.