Rradhë dhe vonesa në doganën e 'Qafë Thanës', qytetarët: Po rrezikojmë vendet e punës
Situata në doganën e Qafë Thanës në Pogradec paraqitet kaotike, ndërsa radhë të gjata automjetesh janë kthyer në një problem të përditshëm për qytetarët e zonës.
Vargu i makinave në kufi dëshmon vështirësitë që hasin prej më shumë se gjashtë muajsh banorët e Prrenjasit dhe Pogradecit, të cilët kalojnë drejt Maqedonisë së Veriut për të punuar.
Këta qytetarë nuk janë turistë apo vizitorë, por individë që përpiqen të sigurojnë jetesën në mungesë të mundësive të punësimit në Shqipëri.
Megjithëse në dalje të pikës kufitare lexohet slogani “Open Balkan”, qytetarët pretendojnë se po përballen me pengesa nga ana e autoriteteve doganore. Sipas tyre, shpesh u ndalohet kalimi me arsyetimin se duhet të kenë kaluar të paktën tre muaj nga hyrja e fundit në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi dhe dyshime mes qytetarëve, të cilët ngrenë pikëpyetje mbi arsyet reale të këtyre kufizimeve.
Shumë prej tyre hezitojnë të flasin publikisht, pasi shprehen se kanë frikë nga hakmarrja e mundshme e punonjësve të doganës.
Ata pretendojnë se në shumicën e rasteve kthehen pas, ndërsa në raste të tjera lejohen të kalojnë vetëm pas një orari të caktuar, shpesh në orët e pasdites.
Kjo vonesë, sipas tyre, ndikon drejtpërdrejt në vendin e punës, duke i penalizuar në marrëdhëniet me punëdhënësit në Maqedoninë e Veriut.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet doganore në Qafë Thanë, ndërsa qytetarët mbeten të paqartë dhe të shqetësuar për vijimësinë e kësaj situate.