Salah drejt Arabisë, mund t’i bashkohet Ronaldos tek Al Nassr

Mohamed Salah mund të jetë shumë pranë një transferimi spektakolar në Arabinë Saudite, ku do të bashkohej me Cristiano Ronaldo tek Al Nassr.

Sipas raportimeve nga media saudite “Okaz”, klubi është gati të hyjë fuqishëm në garë për yllin egjiptian.

Thuhet se trajneri Jorge Jesus ka dhënë dritën jeshile për këtë operacion, duke e konsideruar Salah një përforcim ideal për repartin ofensiv.

Sulmuesi i Liverpoolit pritet të largohet nga “Anfield” në fund të sezonit, çka e bën situatën edhe më interesante për klubet e interesuara.

Nëse kjo marrëveshje realizohet, futbolli botëror do të përjetonte një nga dyshet më të bujshme të viteve të fundit.

Kombinimi i shpejtësisë, teknikës dhe instinktit të golit të Salah me eksperiencën dhe klasin e Ronaldos mund të krijojë një repart sulmues të frikshëm.

Megjithatë, gjithçka lidhet edhe me të ardhmen e vetë trajnerit Jorge Jesus, i cili duhet të rinovojë kontratën përpara se klubi të finalizojë këtë operacion madhor.

Stabiliteti në pankinë shihet si kyç për projektin ambicioz të Al Nassr.

Ndërkohë, skuadra saudite është shumë pranë titullit kampion këtë sezon dhe një fitore ndaj rivalëve të Al Ahli do ta vuloste praktikisht suksesin.

Përveç Salah, drejtuesit po monitorojnë edhe emra të tjerë të mëdhenj për ta çuar ekipin në një nivel edhe më të lartë.