Të mbijetosh në një tokë të helmuar: Jeta e egër e Çernobilit është ndryshe, por jo siç mund ta mendoni

Kanë kaluar 40 vite nga katastrofa e 'Çernobilit', dhe studiuesit vazhdojnë të zbulojnë se si ka ndikuar ajo në jetën e egër përreth centralit të shkatërruar bërthamor.

Në errësirën e natës, mes peizazhit të braktisur dhe të kontaminuar nga rrezatimi, shkencëtari Pablo Burraco dëgjoi një zë të çuditshëm. Ai ndoqi tingullin dhe zbuloi një bretkosë të vogël mashkullore, e cila thërriste për çiftim. Kur e kapi, vuri re diçka të pazakontë: ngjyra e saj ishte më e errët se zakonisht.

Ky zbulim ngriti një pyetje të madhe: a ka ndryshuar rrezatimi kafshët që jetojnë në zonën e Çernobilit?

Që nga shpërthimi i reaktorit më 26 prill 1986, materiale radioaktive u përhapën në zona të gjera, duke prekur rëndë territorin përreth në Ukrainën veriore. Zona prej rreth 60 kilometrash u shpall e ndaluar për njerëzit, por jo për kafshët, të cilat mbetën aty.

Sot, pavarësisht frikës fillestare për shkatërrim total, shumë specie jetojnë në këtë zonë. Megjithatë, natyra ka ndryshuar. Studiuesit kanë dokumentuar pemë të deformuara, zogj me tumore dhe madje një kërpudhë të zezë që rritet në vetë rrënojat radioaktive të reaktorit.

Studimet e kryera nga Burraco dhe kolegët e tij mbi më shumë se 250 bretkosa tregojnë se ato që jetojnë brenda zonës së ndaluar janë, mesatarisht, më të errëta. Një hipotezë sugjeron se niveli i lartë i melaninës mund të ndihmojë në mbrojtjen ndaj rrezatimit, por kjo mbetet ende e paprovuar dhe e debatueshme.

Shkencëtarë të tjerë, si Timothy Mousseau, e kundërshtojnë këtë ide, duke theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme që lidhin drejtpërdrejt ndryshimet me rrezatimin aktual.

Ndërkohë, ekspertja Carmel Mothersill thekson se ndryshimet në ekosistem mund të lidhen edhe me faktorë të tjerë, si ndotja me metale të rënda apo transformimi i habitatit.

Në fakt, vetë peizazhi ka ndryshuar. Pyjet me pisha, shumë të ndjeshme ndaj rrezatimit, u zhdukën në shumë zona dhe u zëvendësuan nga pemë të tjera si thupra, duke krijuar një mjedis krejtësisht të ri.

Në mungesë të njerëzve, kafshë si ujqër, arinj, bizonë dhe rrëqebuj janë rikthyer. Popullatat e drerëve dhe derrave të egër janë rritur ndjeshëm, ndërsa numri i ujqërve në zonën e ndaluar është disa herë më i lartë se në rezervatet përreth.

Madje, arinjtë e murrmë janë parë sërish në këtë rajon pas më shumë se një shekulli mungese. Po ashtu, qentë e braktisur pas katastrofës kanë krijuar popullata të qëndrueshme në zonë.

Pyetja më e debatueshme mbetet: a janë përshtatur realisht këto organizma ndaj rrezatimit? Disa studime sugjerojnë se kjo mund të ketë ndodhur. Për shembull, bimë si soja kanë treguar aftësi më të mira për të përballuar rrezatimin dhe metalet e rënda, ndërsa disa brejtës kanë zhvilluar rezistencë më të madhe ndaj dëmtimeve në ADN.

Një rast interesant është edhe kërpudha e zezë që rritet në reaktorin e dëmtuar, e cila mund të përfitojë nga rrezatimi falë pigmentit të saj të errët.

Megjithatë, shkencëtarët bien dakord për një gjë: edhe pse jeta ka gjetur mënyra për të vazhduar në këtë “tokë të helmuar”, Çernobili mbetet një laborator i hapur, ku natyra tregon se është më komplekse dhe më e paparashikueshme sesa mendohej./BBC