DETAJE TË REJA/ Zbardhet dinamika e ekzekutimit të çiftit në Balldre, dy makina u...
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i rëndë i ndodhur në fshatin Balldre të Lezhës, ku mbetën të vrarë një çift bashkëshortësh, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, duke hedhur më shumë dritë mbi mënyrën e organizimit dhe ekzekutimit të krimit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, në atentat janë përdorur dy automjete. Njëri prej tyre ka shërbyer si mjet pritës, duke i prerë rrugën automjetit tip “Audi A7” me të cilin udhëtonin viktimat, ndërsa mjeti tjetër është përdorur nga autorët për të kryer sulmin.
Dy persona të armatosur kanë zbritur nga automjeti dhe kanë hapur zjarr në drejtim të makinës së viktimave, duke qëlluar me mbi 30 plumba. Sulmi raportohet të ketë qenë i shpejtë dhe i mirëorganizuar, pa u lënë asnjë mundësi reagimi viktimave.
Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa hetimet janë përqendruar në disa pista, përfshirë edhe konflikte të mundshme të mëparshme.