Mbyllet pa gola pjesa e parë e ndeshjes Milan–Juventus, VAR-i anulon avantazhin e bardhezinjve

Pjesa e parë e sfidës mes Milanit dhe Juventusit është mbyllur me rrjeta të paprekura, por jo pa emocione dhe polemika.

Bardhezinjtë menduan se kishin kaluar në avantazh në minutën e 36-të, kur Khéphren Thuram shënoi nga afërsia pas një asistimi të Francisco Conceiçãos. Megjithatë, festa e Juventusit zgjati pak, pasi ndërhyrja e VAR-it konfirmoi një pozicion jashtë loje në aksion dhe goli u anulua.

Pak minuta më vonë, në të 40-ën, ishte sërish Conceição që u bë protagonist me një goditje të fortë brenda zonës, por portieri i Milanit, Mike Maignan, reagoi në mënyrë fantastike duke devijuar topin në këndore.

Ndërkohë, në minutën e 38-të, gjyqtari Simone Sozza ndëshkoi me karton të verdhë Davide Bartesaghi për një ndërhyrje të parregullt.