Sevilla pëson goditje në fund nga Osasuna, mbetet në zonën e rënies

Sevilla ka pësuar një humbje shumë të dhimbshme në transfertë ndaj Osasuna-a, pasi ndeshja e LaLiga-s përfundoi 2-1 me një gol vendimtar në minutën e 99-të, duke e komplikuar edhe më shumë situatën e andaluzianëve në luftën për mbijetesë.

Sevilla, që e nisi takimin në zonën e rënies, pati vështirësi të mëdha për të krijuar raste të pastra. Neal Maupay provoi i pari për miqtë, ndërsa pjesa e parë u karakterizua nga pak raste dhe shumë ndërprerje, me të dy skuadrat që nuk arritën të krijonin rrezik serioz para portave.

Në pjesën e dytë, Osasuna mori më shumë kontrollin e lojës, por ishte Sevilla që goditi e pari. Pas një asisti të Djibril Sow, Maupay shënoi me kokë për 0-1, duke i dhënë avantazhin skuadrës mike.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejt. Raúl García barazoi shifrat me një goditje të saktë me të majtën, duke rikthyer Osasunën në lojë dhe duke rritur presionin në minutat e fundit. Më pas, portieri Odysseas Vlachodimos mbajti në lojë Sevilla-n me disa pritje vendimtare.

Drama erdhi në kohën shtesë, kur në minutën e 99-të Alejandro Catena shënoi me kokë pas një krosimi të Moi Gómez, duke vulosur përmbysjen dhe fitoren 2-1 për Osasunën.

Ky rezultat e lë Sevillan në një situatë shumë të vështirë në fund të sezonit, me vetëm pak ndeshje të mbetura dhe presion të madh për të shmangur rënien nga LaLiga, ndërsa Osasuna mban gjallë shpresat për një vend në kompeticionet evropiane.