Bayerni në kërkim të rekordit historik, duhen 13 gola në 3 ndeshje
Bayerni i Mynihut është shumë pranë një rekordi historik në futbollin evropian, pasi mund të bëhet skuadra më golashënuese në historinë e pesë kampionateve kryesore të Europës.
Pas fitores spektakolare 4-3 ndaj Mainz-it, ku bavarezët përmbysën rezultatin nga 0-3 në 4-3, ekipi i drejtuar nga Vincent Kompany ka arritur në 113 gola në kampionat. Kjo shifër e vendos Bayern-in në garë të drejtpërdrejtë për një rekord historik.
Në qendër të kësaj “makinerie” golash është Harry Kane, por sulmi i Bayern-it nuk varet vetëm prej tij. Deri tani, 19 lojtarë të ndryshëm kanë gjetur rrugën e rrjetës në Bundesligë.
Rekordi aktual mbahet nga Torino e sezonit 1947/48 me 125 gola, ndërsa në vend të dytë renditet Real Madridi i sezonit 2011/12 nën drejtimin e José Mourinho-s, me 121 gola.
Kjo do të thotë se Bayern-it i nevojiten edhe 13 gola në tri ndeshjet e fundit të Bundesligës për të vendosur rekord absolut. Duke parë mesataren e jashtëzakonshme prej 3.6 golash për ndeshje dhe kundërshtarët e mbetur si Heidenheim, Wolfsburg dhe Koln, objektivi nuk duket aspak i pamundur.
Bavarezët janë tashmë skuadra më produktive në Europë këtë sezon dhe kanë në dorë mundësinë për të hyrë në histori si sulmi më i frikshëm që ka parë ndonjëherë futbolli evropian.