Interi çon dëm avantazhin e dyfishtë ndaj Torinos, kundër Parmës duhet fitorja për të siguruar titullin
Interi ka lënë dy pikë të rëndësishme në transfertë ndaj Torinos, pasi ndeshja e javës së 34-t të Serisë A përfundoi në barazim 2-2, pas një përmbysjeje të fortë nga vendasit.
Zikaltrit e nisën ndeshjen në mënyrën perfekte, duke kaluar në avantazh me Marcus Thuram në minutën e 23-të, pas një asistimi të Federico Dimarco. Interi dominoi pjesën e parë dhe e dyfishoi rezultatin në minutën e 61-të me Yann Bisseck pas një goditjeje nga këndi, sërish e krijuar nga Dimarco.
Por më pas erdhi reagimi i fortë i Torinos. Giovanni Simeone ngushtoi shifrat në minutën e 70-të, duke rihapur ndeshjen dhe duke shtuar presionin mbi skuadrën mike. Situata u përkeqësua për Interin në minutën e 79-të, kur një prekje me dorë e Carlos Augustos në zonë u ndëshkua me penallti, të cilën e shndërroi në gol Nicolò Vlasic për 2-2.
Pavarësisht avantazhit të humbur, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu mbetet në krye të renditjes dhe ka ende gjithçka në dorë për titullin kampion. Interi ka nevojë vetëm për një fitore në ndeshjen e radhës ndaj Parmës, në “San Siro” për të siguruar matematikisht kampionatin, pavarësisht rezultateve të ndjekësve.
Nga ana tjetër, Torino merr një pikë të vlefshme që e çon në kuotën e 41 pikëve, duke e mbyllur një mbrëmje me shumë emocione.