Abakarov, medalje të argjendtë për Shqipërinë, ndalet në finale të Europianit
Shqipëria feston një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të mundjes, pasi Zelimkhan Abakarov ka siguruar medaljen e argjendtë në Kampionatin Europian që po zhvillohet në kryeqytet.
Në finalen e kategorisë 61 kilogramë, Abakarov u përball me kampionin rus, Zaur Uguev, duke u mposhtur me rezultatin 4-0. Një duel i fortë, ku detajet bënë diferencën, ndërsa sportisti që përfaqëson Shqipërinë duhet të kënaqet me vendin e dytë pas një rruge shumë të mirë drejt finales.
Rrugëtimi i Abakarov ishte mbresëlënës që nga fillimi. Në fazën kualifikuese ai dominoi italianin Simone Piroddu me rezultatin e thellë 12-2. Më pas, në çerekfinale, ai triumfoi ndaj gjermanit Niklas Stechele me shifrat 6-2.
Forma e tij e shkëlqyer vazhdoi edhe në gjysmëfinale, ku mundi bindshëm azerbajxhanasin Aliabbas Rzazade Novruzov me rezultatin 14-3, duke siguruar një vend në finale dhe një medalje për Shqipërinë.
32-vjeçari, me origjinë ruse, vazhdon të konfirmohet si një nga sportistët më të suksesshëm që kanë përfaqësuar vendin tonë në vitet e fundit. Kujtojmë se ai fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror të vitit 2022 dhe ka regjistruar rezultate të rëndësishme edhe në arenën europiane, duke kontribuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë në sportin e mundjes.