Como rikthehet te fitorja dhe ëndërron Champions-in, mposht Genoa-n në transfertë

Një fitore shumë e rëndësishme për Como-N, që triumfoi 2-0 në fushën e Genoa në javën e 34-t të Serie A, duke u rikthyer në vendin e pestë dhe duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në Champions League.

Skuadra e drejtuar nga Cesc Fàbregas e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 10-të. Ishte Anastasios Douvikas ai që realizoi me kokë pas një asistimi të saktë nga Lucas Da Cunha. Miqtë vazhduan të kontrollonin lojën dhe ishin pranë golit të dytë, por shtylla i mohoi gëzimin Nico Paz pak para pushimit.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Como-s, por në fillim të së dytës erdhi një goditje për miqtë, pasi Nico Paz u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një problemi në kokë pas një përplasjeje me Alessandro Marcandalli-n. Në vendin e tij u aktivizua Maxence Caqueret, i cili rezultoi vendimtar.

Në minutën e 68-të, pikërisht Caqueret dhuroi asistin për golin e dytë, të shënuar nga Assane Diao, duke vulosur përfundimisht fitoren e ekipit mik.

Me këtë sukses, Como rikthehet te fitorja pas më shumë se një muaji dhe ngjitet në kuotën e 61 pikëve, duke parakaluar sërish Romën në renditje. Në anën tjetër, Genoa mbetet në vendnumëro me 39 pikë dhe vazhdon të vuajë në këtë fazë të sezonit.