Skandali ‘Rocchi’, pesë ndeshje nën hetim për vendimet e arbitrave në Itali

Një çështje e nxehtë ka shpërthyer në futbollin italian, ku disa vendime arbitrale janë vënë nën hetim, duke përfshirë edhe figura të rëndësishme si dizenjatori i arbitrave, Gianluca Rocchi. Sipas dokumenteve të hetimit të publikuara nga media italiane, aktualisht janë pesë ndeshje që po analizohen me kujdes nga autoritetet.

Në qendër të vëmendjes është gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Italisë 2024/25 mes Interit dhe Milanit, e fituar 3-0 nga kuqezinjtë, me arbitër Daniele Doverin. Po ashtu, nën lupë është edhe sfida Bologna–Inter, e përfunduar 1-0 për vendasit me gol të Riccardo Orsolinit në kohën shtesë, e shoqëruar me polemika për një rivënie anësore të diskutueshme.

Një tjetër episod i rëndë lidhet me ndeshjen Inter–Verona të janarit 2024, ku një goditje me bërryl nga Alessandro Bastoni ndaj Ondrej Duda-s nuk u rishikua nga VAR-i. Për këtë rast, një asistent i VAR-it po hetohet për bashkëpunim në mashtrim sportiv, pasi nuk kërkoi “on field review”. Në atë ndeshje arbitër ishte Michael Fabbri, ndërsa në VAR Luigi Nasca.

Hetimi përfshin edhe takimin Udinese–Parma të marsit 2025, ku thuhet se Rocchi ka ndërhyrë duke trokitur në xhamin e dhomës VAR gjatë një episodi të diskutueshëm që çoi në penalltinë e realizuar nga Florian Thauvin.

Rasti i fundit lidhet me ndeshjen e Serie B mes Salernitanës dhe Modenës, më 8 mars 2025. Sipas hetimeve, arbitri Andrea Gervasoni, gjithashtu nën hetim, dyshohet se ka ushtruar presion ndaj Nasca-s për të thirrur arbitrin kryesor Antonio Giua në VAR, me qëllim anulimin e një penalltie për prekje me dorë nga Dylan Bronn.

Ky zhvillim ka tronditur opinionin sportiv në Itali, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe integritetin e gjykimit në futbollin profesionist.