Historike! Sawe hyn në librat e artë në Londër, Maratona thyhet për herë të parë nën 2 orë
Një epokë e re ka nisur në atletikë! Për herë të parë në histori, maratona për meshkuj është përfunduar në më pak se dy orë. Protagonisti i këtij momenti të jashtëzakonshëm është keniani Sebastian Sawe, i cili fitoi Maratonën e Londrës me kohën fantastike 1 orë, 59 minuta e 30 sekonda.
31-vjeçari vazhdon të mbetet i pamposhtur në këtë disiplinë, duke regjistruar katër fitore në katër maratona të zhvilluara. Në tri garat e mëparshme ai kishte shënuar kohë që varionin nga 2:02:05 deri në 2:02:27, por këtë herë shkoi edhe më tej, duke thyer një nga barrierat më të mëdha në historinë e sportit. Me këtë arritje, Sawe jo vetëm që vendos një rekord të ri, por hap një kapitull të ri për atletikën botërore.
Garë spektakolare u zhvillua edhe për vendin e dytë, ku etiopiani Yomif Kejelcha impresionoi në debutimin e tij në maratonë. Ai e përfundoi garën me kohën 1:59:41, duke hyrë gjithashtu në histori si një nga atletët e parë që zbret nën kufirin simbolik të dy orëve.
Në vendin e tretë u rendit ugandezi Jakob Kiplimo me kohën 2:00:28, një rezultat që gjithashtu tejkalon rekordin e mëparshëm botëror prej 2:00:35, të vendosur në Çikago 2023 nga keniani Kelvin Kiptum.
Në këtë rezultat historik ndikuan edhe zhvillimet teknologjike, veçanërisht këpucët ultra të lehta të Sawe, që peshojnë vetëm 96 gramë. Gjithashtu, kushtet atmosferike ishin ideale për një garë të këtij niveli, me temperaturën që varionte nga 12 gradë Celsius në nisje deri në 15 gradë në vijën e finishit.