VIDEO/ Digjet qëllimisht makina e gazetarit në Bulqizë – Sami Curri: Duan të më mbyllin gojën!

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës, rreth orës 02:58  në Bulqizë, ku është djegur makina e gazetarit Sami Curri.

Zjarrvënia dyshohet të ketë qenë e qëllimshme, për shkak të detyrës së Currit si gazetar.

Makina ka qenë e parkuar në afërsi të pallatit ku banonte gazetari.

Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset por nuk kanë mundur ta fikin, ndërsa  policia po kryen veprimet hetimore rreth ngjarjes dhe zbardhjen e saj.

Sipas gazetarit ky veprim behët për t’i mbyllur gojën.

Bulqizë/Informacion paraprak

Rreth orës 02:58, të datës 26.04.2026, shërbimet e Policisë janë njoftuar nga shtetasi S. C., banues në Bulqizë (me profesion gazetar), se automjeti i tij tip “Ford Fiesta” ishte përfshirë nga flakët, ndërkohë që ishte i parkuar pranë banesës së tij.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe shërbimi zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.