Eder Militao do të operohet, humbet Botërorin me Brazilin
Kombëtarja e Brazilit ka marrë një lajm të hidhur në prag të Kupës së Botës 2026, pasi mbrojtësi Eder Militao do të mungojë në turneun më të madh ndërkombëtar për shkak të një dëmtimi serioz.
Futbollisti i Real Madridit nuk do të jetë më i disponueshëm për pjesën e mbetur të sezonit, pasi ekzaminimet mjekësore konfirmuan një problem të rëndë muskulor në bicepsin femoris të këmbës së majtë.
Bëhet fjalë për një dëmtim të përsëritur, i cili është përkeqësuar ditët e fundit.
Si pasojë, stafi mjekësor ka vendosur që ndërhyrja kirurgjikale të jetë e pashmangshme.
Operacioni pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth katër muaj, duke i dhënë fund çdo shprese për pjesëmarrje në Botëror.
Militao e pësoi dëmtimin gjatë ndeshjes së fundit të Real Madridit ndaj Alaves, ku skuadra madrilene arriti të fitojë, por humbi një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes.
Ky zhvillim është një goditje e dyfishtë, si për Real Madridin ashtu edhe për Brazilin, që humbet një nga mbrojtësit më të besueshëm në një moment kyç.
Megjithatë, ka edhe një lajm pozitiv: nëse rikuperimi shkon sipas planit, Militao pritet të rikthehet në formë të plotë për fillimin e sezonit të ri, duke i dhënë shpresë klubit për një rikthim të fortë.
Mungesa e tij në Botëror pritet të ndikojë ndjeshëm në planet e Brazilit, që do të duhet të gjejë alternativa për të mbushur boshllëkun në prapavijë.