Derbi i zjarrtë në ‘Air Albania’: Tirana dhe Partizani përballen për krenari dhe mbijetesë

Mbrëmja e sotme sjell një nga përballjet më të zjarrta të futbollit shqiptar, teksa Tirana dhe Partizani zbresin në fushën e “Air Albania” për javën e 33-të të Abissnet Superiore.

Ky derbi i kryeqytetit vjen në një moment delikat për të dy skuadrat.

Tirana renditet në vendin e shtatë me 32 pikë dhe është në luftë për t’iu larguar zonës së rrezikut, ndërsa Partizani ndodhet në vendin e pestë me 45 pikë, duke synuar të konsolidojë pozitat në zonën që të çon në “play-off”.

Forma e fundit favorizon bardheblutë, të cilët kanë treguar stabilitet me disa rezultate pozitive në javët e fundit.

Në krahun tjetër, Partizani ka hasur vështirësi, duke regjistruar disa ndeshje pa fitore dhe duke humbur terren në renditje.

Megjithatë, historia e përballjeve direkte këtë sezon anon nga të kuqtë, të cilët kanë fituar dy nga tre sfidat ndaj Tiranës, duke treguar se dinë si ta menaxhojnë presionin e derbit.

Amosfera në stadium pritet të jetë elektrizuese, me tifozët që do të luajnë rolin e tyre në një ndeshje ku motivimi shpesh tejkalon formën aktuale.

Për Tiranën, një fitore do të ishte jetike për të siguruar mbijetesën dhe për të shmangur çdo rrezik në javët e fundit. Ndërkohë, Partizani kërkon tri pikë për të mbajtur gjallë objektivat për “Final Four”.

Në derbi nuk ka favoritë të qartë – vetëm emocione, rivalitet dhe një betejë që pritet të vendoset në detaje.

Derbi nis në orën 19:00 dhe mund të shihni formacionet zyrtare:

TIRANA: Bekaj, Vera, Ndong, Halili, Kreshiç, Rafael, Mysloviç, Kobiljar, Haxhiu, Xhixha, Tabeku.

Trajner: Orges Shehi

PARTIZANI: Qirko, Preka, Sembene, Atanaskoski, Murataj, Qaka, Dumbia, Hjumën, Isgandarli, Sidibe, Kontreras. 

Trajner: Oltijon Kërnaja