VIDEO/ Tryeza në Gjirokastër, Banori: Reforma territoriale e 2014-ës solli më shumë probleme sesa zgjidhje

Gjatë tryezës me banorët e Gjirokastrës për reformën territoriale, të gjithë të pranishmi u ankuan për mungesë shërbimesh.

Një prej pjesëmarrësve, Teufik Islami banor i Picarit dhe emigrant, ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me efektet e reformës territoriale-administrative të vitit 2014 në Shqipëri.

Sipas tij, reduktimi i ndjeshëm i numrit të njësive vendore në 61 bashki nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Ai u shpreh se për pjesën më të madhe të qytetarëve, reforma ka prodhuar pasoja negative, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për të përballuar njësitë e mëdha administrative, veçanërisht në zona me terren të vështirë si Qarku Gjirokastër.

Islami sjell si shembull konkret fshatin e tij, i cili ndodhet rreth 30 kilometra larg Gjirokastër, duke theksuar se banorët nuk marrin shërbimet bazë nga bashkia.  

‘Quhem Teufik Islami, banor i njësisë administrative Picar. Profesioni emigrant.

Tani, problemi është që duhet e kapur gjë nga A-ja për të vajtur tek Z-ja. Ne bëmë një reformë territoriale administrative në vitin 2014. Kishim një numër të madh bashkish dhe komunash.

I zvogëluam dhe arritëm në 61. Gjatë këtyre viteve, ne nxjerrim konkluzionet se kjo reformë me këtë zvogëlim kaq të madh të numrit të njësive dha rezultate pozitive apo negative.

Unë si qytetar mendoj se pjesa dërrmuese ka dhënë rezultate negative. Për arsye sepse ne nuk e kishim arritur akoma atë infrastrukturë për të bërë këto njësi kaq të mëdha, duke marrë parasysh dhe gjeografinë e bashkisë dhe qarkut Gjirokastër.

Unë jam banor i një fshati që është 30 km larg nga Gjirokastra. Ai fshati im nuk merr asnjë shërbim nga bashkia. As, ku di unë, vjen një letër me taksë pastrimi, taksë gjelbërimi, taksë ndriçimi, ku di unë se qysh, se çfarë.

Prandaj, kush thotë që duhet zvogëluar akoma, më mirë të thotë bëjmë një bashki të madhe, një parti, një mbret, 500... 5000 vende bosh edhe sa shërbëtorë që vijnë vërdallë’, tha qytetari gjatë tryezës në Gjirokastër, ku u diskutua për reformën e re territoriale.