Del përgjigja e analizave: Mishi i pulës jo me Salmonelë. 3 analizat e prokurorisë nuk zbuluan bakterin në filetot e pulës nga Brazili
Një sasi prej 27 mijë kg mish pule, që u dyshua se ishte e infektuar me bakterin “Salmonella Typhimurium”, ka rezultuar e pastër dhe pa efekte negative për shëndetin e njerëzve.
Rezultatet e këtij konkluzioni erdhën pas një hetimi 1-vjeçar të kryer nga prokuroria e Tiranës, e cila përmes 3 analizave laboratorike të kryera në dy vende në Greqi dhe në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) në Tiranë, konfirmoi se sasia e mishit e ardhur nga Brazili në Shqipëri nuk ishte e infektuar me bakterin e dëmshëm “Salmonella Typhimurium”.
Dy laboratorët “Vitros” dhe “Biolab” në Greqi, por edhe ISUV në Shqipëri, pas ekzaminimeve të mostrave të marra nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, dolën në përfundimin se sasia e mishit që ishte importuar nga Brazili dhe më pas shitur te konsumatorët shqiptarë nuk përmbante bakterin “Salmonella Typhimurium”.
Nisur nga këto rezultate të nxjerra përmes 3 ekspertizave biologjike, si dhe marrjes në pyetje të inspektorëve të Agjencisë së Kontrollit Ushqimor (AKU), prokuroria e Tiranës, më 3 mars 2026, vendosi të kërkojë pushimin e veprimeve hetimore për procedimin penal me nr. 2197, që lidhej me akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Importimit dhe shitjes së ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Njëherësh, në vendimin e saj, prokuroria e Tiranës ka urdhëruar edhe lirimin e sasisë së mallit të bllokuar në frigoriferët e kompanisë “A.M.G”, për shkak se mishi rezultoi të mos jetë i kontaminuar.
Rasti bën fjalë për muajin mars 2025, kur bëri shumë zhurmë në opinionin publik, pasi kompania “A.M.G” kishte sjellë nga Brazili 27 mijë kg mish pule fileto, të cilën e kishte blerë nga kompania braziliane “Copacol Cooperativa Agroindustrial”.
Malli ka mbërritur në Shqipëri më 10 mars 2025 dhe ka qenë i shoqëruar me një certifikatë nga vendi i origjinës, Brazili, që mishi i pulës nuk kishte përmbajtje të bakterit “Salmonella”.
Mirëpo, në analizën e mostrës së kryer në muajin mars 2025 nga laboratorët e AKU-së, është vërejtur prania e Salmonellës.
Por, pavarësisht kësaj, sasia e mishit nuk është bllokuar nga AKU-ja brenda një afati 5-ditor, duke çuar në tregtimin e mishit pa u bërë ekzaminime të mëtejshme laboratorike.
Kjo bëri që më pas kjo sasi mishi e importuar nga Brazili të shitej te kompania “Dimal INC”, e cila ka blerë rreth 6 mijë e 960 kg fileto pule dhe pjesën tjetër e ka shitur te subjekte të tjera tregtare.
Sipas hetimeve të kryera, sasia e mishit është ndarë në total përmes 144 faturave tatimore. Hetimi ka provuar se këto kompani më tej e kanë shpërndarë duke e shitur mishin e pulës te subjekte të tjera të pakicës, që kanë lidhje direkte me qytetarin konsumator.
Gjatë hetimeve të kryera është marrë në pyetje përfaqësuesi i kompanisë, i cili ka deklaruar se shoqëria AMG ka porositur në dhjetor 2024 një sasi prej 27 ton fileto pule nga kompania braziliane “Copacol”.
Ngarkesa ka kaluar kontrollin e Pikës së Inspektimit Kufitar në Durrës më datë 11 mars 2025, ku është konsideruar e pranueshme për tregun e brendshëm dhe nuk është vendosur asnjë masë bllokimi.
Sipas tij, shoqëria nuk ka marrë asnjë njoftim për ndalimin e tregtimit të produktit brenda afatit të zakonshëm prej 5 ditësh për daljen e analizave.
Pas marrjes së njoftimit për problemin, shoqëria ka filluar menjëherë tërheqjen e produktit nga tregu dhe ka kërkuar analiza të tjera në laboratorë privatë dhe në laboratorë të akredituar në Bashkimin Evropian, të cilat kanë rezultuar negative për bakterin “Salmonella Typhimurium”.
Pas 1 viti hetime dhe dhjetëra veprime verifikuese, si dhe marrjes në pyetje të personave që kishin dijeni mbi rastin në fjalë, prokuroria e Tiranës vendosi të kërkojë pushimin e çështjes penale të regjistruar në muajin mars 2025 për dy veprat penale.