Berisha: Rama është në panik dhe pa shpresë! Shqipëria e zhytur në skandale korrupsioni dhe rritje të varfërisë
Edhe këtë të shtunë, lideri demokrat Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
Në nisje të tij, Berisha theksoi se sot, Rama është në gjendje paniku dhe i pa shpresë. Ndërsa theksoi se si pasojë, Shqipëria është e zhytur në skandale me përmasa Europiane, korrupsion dhe rritje të varfërisë.
Pjesë nga bashkëbisedimi me qytetarët:
Sot Edi Rama është në një panik të vërtetë, e konsideron veten, në fakt ashtu siç është, pashpresë, por ndërkohë bën gjithçka për t'u mbajtur në fijen e barit. Ju e konstatoni e shihni se skandalet e tij kanë marrë dheun. Janë bërë europiane dhe botërore. Vjedhjet e tij dhe plaçka e pasurive publike nuk ka të ndalur. Qëndrimi i tij ndaj shqiptarëve në një kohë të vështirë kur çmimet po rriten për shkak të krizës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, në Shqipëri godasin masivisht shqiptarët, por Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që de facto nuk ka marrë asnjë masë lehtësuese. Miliardat që inkasohen nga rritja e TVSH-së dhe që u merren nga xhepat e shqiptarëve po rriten gjithnjë e më shumë. Ndërkohë fermerëve shqiptarë ju hiqet edhe subvencioni i naftës që kishin. Pra, një indiferencë totale e tij ndaj fermerëve, një indiferencë e madhe ndaj pensionistëve, ndaj atyre të cilët nuk mjekohen dot me pensionin që marrin as 15 ditë në muaj. Indiferencë totale ndaj atyre që janë në ndihmë ekonomike dhe që u thuhet të jetojnë me 34 euro në muaj. Një indiferencë totale ndaj të gjithë atyre që përdorin transportin publik, asnjë subvencion, ndërkohë kompanitë kanë përgjysmuar përdorimin e autobusave për shkak të krizës.