Trajneri i Partizanit, Kërnaja: Derbi luhet, shijohet dhe fitohet
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka folur për mediat në prag të derbit kundër Tiranës, që do të luhet nesër në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00.
Si paraqitet gjendja ekipit në prag të derbit?
Kuptohet derbi, ana emocionale. Djemtë janë në maksimumin e mundshëm, dëshira është në kufijtë e tyre. Besoj se nuk ka nevojë për ndonjë shtysë kjo ndeshje. Të gjithë duhet ta luajmë dhe ta shijojmë, sigurisht dhe ta fitojmë. Ana fizike paraqitet e mirë djemtë vrapojnë, jemi stërvitur në rregull dhe presim nesër ditën e ndeshjes.
Përsa i përket situatës së dëmtimeve apo rikthimeve?
Dëmtime nuk ka. Rikthime mund të jetë ndonjë emër i ri ndoshta ta shikojmë edhe sot në stërvitje. Për mungesa dihet janë Ismaili dhe Bytyçi që u ndëshkuan me kartona, pjesa tjetër është e gatshme.
Presioni në derbi?
Historia ka treguar që në derbi nuk shikohet renditja, nuk shikohet forma, nuk shikohet momenti, shikohet vetëm dita e ndeshjes. Disa herë ka fituar edhe ekipi që nuk renditet më mirë, ose ekipi që vjen nga një gjendje jo e mirë.
Të themi të drejtën ndoshta nëse do merren 5 javët e fundit Tirana vjen me një gjendje më të mirë se ne, me anë të pikëve jo të lojës. Ka marrë më shumë pikë se ne, por nëse shohim 14-15 javët e fundit duke filluar mbas janarit ne jemi ndër ekipet që kemi rezultatet më të mira kemi vetëm 2 humbje dhe këto janë ndaj dy ekipeve kryesuese Vllaznisë dhe Elbasanit. Derbi është tjetër gjë nuk shikohen fare as statistikat, as renditja, as pikët. Derbi është aty për tu luajtur dhe për tu fituar.