VIDEO/ Aksident i rëndë në Fushë-Krujë-Milot/ Makina ndahet në dysh, një i vdekur dhe dy të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në superstradën Fushë-Krujë–Milot, në afërsi të Thumanës. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Mercedes”, në të cilin udhëtonte shtetasi Radvan Maja nga Borizana, është përplasur me një “Passat” të drejtuar nga Ndrec Ruci nga Mirdita.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i ‘Passat’-it, Ndrec Ruci, ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa pasagjerja që udhëtonte me të, Tereze Laska, ka humbur jetën në vendngjarje.

Gjithashtu, një grua tjetër është plagosur pasi është goditur nga një pjesë e mjetit “Passat”, teksa ndodhej pranë një biznesi në zonë.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të jetë një manovër e gabuar e automjetit “Passat”, si dhe shpejtësia e lartë e mjetit tip “Mercedes”, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Njoftimi i policisë: 

Krujë/Informacion paraprak

Rreth orës 17:10, në kryqëzimin e fshatit Gramëz,  Fushë-Krujë, automjeti me drejtues shtetasin N. R., rreth 73 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues R. M., rreth 22 vjeç.    
 
Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasja T. L., 65 vjeçe (pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin N. R) si dhe janë dëmtuar të dy drejtuesit e automjeteve dhe një këmbësore shtetasja A. S., rreth 40 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. 

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.