Xhixho: Integrimi në BE në moment kritik, Shqipëria përballet me sfida të mëdha në shtetin e së drejtës
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’ në SYRI TV, me moderator Bled Marku, ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë në një moment kritik dhe të ndërlikuar.
Sipas saj, raporti IBAR përbën një dokument kyç për ecurinë e negociatave dhe mbylljen e kapitujve, ndërsa thekson se procesi nuk varet vetëm nga miratimi i ligjeve, por nga vullneti politik dhe zbatimi real i standardeve. Xhixho ngriti shqetësime edhe për zhvillimet në vend, duke përmendur vendimmarrje politike dhe reagime ndërkombëtare që sipas saj ndikojnë në perceptimin e progresit të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Erisa Xhixho: Në fakt, procesi i integrimit Europian ndodhet në një moment shumë kritik. Padyshim që prej janarit, raporti i IBAR-it, që është një raport i ndërmjetëm i kritereve dhe standarteve që do të duhet të plotësojë Shqipëria, si një raport kyç për mbylljen e të gjithë kapitujve të negocimit. Pra, pa këtë raport, ne nuk mund të mbyllim asnjë kapitull. Zoti Balla mund të vërë shumë deadline. Çështja është që procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është thjesht plotësimi i disa ligjeve, miratimi i disa reformave, por vullneti politik dhe zbatimi në realitet i këtyre standarteve. Dhe fakti që shumë nga shtetet europiane kanë vënë shumë pikëpyetje, sepse ky raport mbulon edhe kapitujt 20-23, 24 që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, demokracinë, zgjedhjet dhe çdo gjë tjetër, kanë ngritur shumë pikëpyetje, sidomos padyshim me bllokimin e imunitetit për rastin Balluku, që tregoi fare qartë 83 vota, të cilat treguan fare qartë jo vetëm pengimin e drejtësisë në vazhdimin e hetimit ndaj zonjës Balluku dhe ndjekjes penale, por nga ana tjetër dhe bllokimin e procesit të integrimit Europian.
Ju keni parë deklaratat të menjëhershme që bëri ambasada britanike, ambasada gjermane e të gjitha me radhë, sepse nuk mund të quash thjesht zbatim, thjesht miratimin e reformës në drejtësi një sukses, apo kur po ndiqen kundërshtarët e tu politikë, reforma ecën shumë mirë, ama kur kjo reformë vjen tek numri dy i qeverisë, që praktikisht është numri një, sepse çështja Balluku e dimë të gjithë që është çështja Rama, ti përdor 83 mandate, si një mburojë politike, përdor parlamentin si një... E dimë shumë mirë që çdo urdhër të çdo afere korruptive e ka dhënë zoti Rama dhe padyshim kemi një ndryshim të qasjes. Pra, në qoftë se Partia Socialiste deri dje thoshte që unë nuk bëhem zyra avokatie për askënd, që në qoftë se do të vijë një kërkesë e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetëve.
Në fakt, dosja e AKSHI-t është një dosje absolutisht që e ka cituar tashmë SPAK-u qeverinë shqiptare si një grup të strukturuar kriminal. Pra, atë që thoshte opozita gjatë gjithë kohës, që këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një keqqeverisje apo një qeverisje të korruptuar, por kemi të bëjmë me një organizatë kriminale dhe ajo dosje, e cila ka brenda, ka pengmarrje të biznesmenëve të ndryshëm, ka pastrim parash, ka vjedhje miliona euro dhe koordinatori Ergys Agasi ishte pikërisht ai që drejtonte në fakt gjithë afera korruptive të AKSHI-t dhe absolutisht në prononcimet e SPAK-ut, imagjinoni ku ka shkuar, nga 33.000 euro që kishim verat, ka shkuar në një kuti verash ku mbaheshin 200.000 euro. Domethënë, jo vetëm korrupsion, po ky është korrupsion masiv, ka shkuar në nivele shumë të larta korrupsioni i kësaj qeverie dhe padyshim që në të gjithë këto afera është kryeministri Rama, sepse jemi të gjithë shumë të qartë që askush nuk ka ngrënë as kumbulla, as dardha mbrapa krahëve të kryeministrit.