‘Shqiptarë idiotë’/ Bardhi: Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me mesazhin e publikuar që është dërguar nga ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.

Ky i fundit shkruan në një mesazh duke komentuar situatën e shqiptarëve në Maqedoni, ‘po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë’.

Reagim i kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

Dënoj me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok deklaratën skandaloze dhe fyese të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si ‘idiotë’. Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kjo gjuhë e papërgjegjshme dhe denigruese jo vetëm që cenon rëndë dinjitetin e shqiptarëve, por krijon bindjen se kemi të bëjmë me një përfaqësues që flet në frymën e propagandës së huaj dhe jo në interes të Republikës së Shqipërisë.  Kjo deklaratë është e denjë vetëm për Nikola Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç.

Një retorikë e tillë bie haptazi ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve.

Çdo minutë më shumë në detyrë është një fyerje për shqiptarët dhe një njollë për Republikën e Shqipërisë.