Aksident në aksin Lezhë-Milot, përplaset kamionçina me motorçikletën, plagoset një person

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lezhë-Milot, në afërsi të kryqëzimit të Shëngjin.

Sipas informacioneve paraprake, një kamionçinë është përplasur me një motorçikletë dhe për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i kësaj të fundit.

I dëmtuari është transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 17:00, në Ishull Lezhë, një mjet (kamionçinë), me drejtues shtetasin A. L., 44 vjeç, është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin N. D., 24 vjeç.

Si pasojë e aksidentit është dëmtuar 24-vjeçari, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.