Downing Street: Falklandet mbeten britanike, nuk ndryshon qëndrimi pavarësisht raportit për SHBA
Sovraniteti i Ishujve Falkland “i takon Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar Downing Street, pas një raporti se SHBA mund të rishikojë qëndrimin e saj mbi pretendimin britanik për territorin.
Një email i brendshëm i Pentagonit, i raportuar nga Reuters, sugjeronte se SHBA po shqyrtonte opsione për të ndëshkuar aleatët e NATO-s që sipas saj nuk kishin mbështetur luftën e saj ndaj Iranit. Opsionet e diskutuara përfshinin edhe pezullimin e Spanjës nga NATO për shkak të kundërshtimit të saj ndaj luftës.
BBC News, e cila nuk ka mundur të verifikojë dokumentin, ka kontaktuar Pentagonin për koment.
Ishujt Falkland, një territor britanik përtej detit në jugperëndim të Oqeanit Atlantik, mbeten objekt i një mosmarrëveshjeje për sovranitetin mes Britanisë dhe Argjentinës.
I pyetur për raportin, një zëdhënës i Downing Street tha: “Ishujt Falkland kanë votuar në mënyrë dërrmuese për të mbetur territor britanik përtej detit dhe ne gjithmonë kemi mbështetur të drejtën e banorëve për vetëvendosje dhe faktin që sovraniteti i takon Mbretërisë së Bashkuar.”
Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit shtoi se qeveria “nuk mund të jetë më e qartë për qëndrimin e saj”, duke theksuar se “sovraniteti i takon Mbretërisë së Bashkuar dhe e drejta e vetëvendosjes së banorëve është parësore”.
Ai vijoi: “Këtë qëndrim e kemi shprehur qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme ndaj administratave të ndryshme amerikane dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë.”
Administratat e mëparshme amerikane kanë njohur administrimin de facto të ishujve nga Britania, por nuk kanë mbajtur një qëndrim zyrtar për sovranitetin.
Qeveria e Ishujve Falkland deklaroi se ka “besim të plotë” në angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur të drejtën e tyre për vetëvendosje.
Ndërkohë, liderja konservatore Kemi Badenoch e cilësoi raportin si “absurd”, duke shtuar: “Duhet të mbështesim Falklandin. Është territor britanik.”
Lideri i Reform UK, Nigel Farage, tha: “Kjo është e panegociueshme. Nuk ka asnjë mundësi të diskutohet sovraniteti i Ishujve Falkland.”
Ai shtoi se do ta ngrinte çështjen me presidentin e Argjentinës, Javier Milei, gjatë një takimi të ardhshëm.
Ndërsa lideri i Liberal Demokratëve, Ed Davey, kërkoi sërish anulimin e vizitës së ardhshme të Mbretit në SHBA, duke kritikuar presidentin amerikan Donald Trump.
Raporti del pak ditë para vizitës së Charles III dhe Mbretëreshës Camilla në SHBA, ku pritet të takojnë Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëdhëniet mes SHBA dhe Britanisë janë tensionuar kohët e fundit, pasi Trump është shprehur i pakënaqur me mbështetjen britanike në luftën ndaj Iranit, ndërsa kryeministri Keir Starmer ka deklaruar se Britania nuk do të përfshihet në një konflikt më të gjerë.
Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s theksoi se traktati themelues i aleancës “nuk parashikon pezullimin apo përjashtimin e një anëtari”.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, reagoi duke thënë se vendi i tij bazohet vetëm në dokumente dhe qëndrime zyrtare.
Ishujt Falkland janë nën kontroll britanik që nga viti 1833, por Argjentina pretendon sovranitet mbi ta, duke i quajtur Malvinas. Konflikti më i madh ndodhi në vitin 1982, kur forcat argjentinase pushtuan ishujt, por u zmbrapsën nga një operacion ushtarak britanik i urdhëruar nga Margaret Thatcher.
Në konflikt humbën jetën 649 ushtarë argjentinas, 255 britanikë dhe tre banorë të ishujve.
Në një referendum të vitit 2013, pothuajse të gjithë votuesit në ishuj votuan për të mbetur territor britanik.
Së fundmi, presidenti argjentinas Milei ka deklaruar se synon rikthimin e ishujve përmes rrugës diplomatike, duke pranuar se aktualisht ata janë “nën kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar” dhe se zgjidhja nuk është e menjëhershme./BBC