Sanksion historik për Prestiannin, UEFA e dënon me 6 ndeshje, rrezikon edhe Botërorin

Një vendim i fortë ka ardhur nga UEFA, e cila ka ndëshkuar me gjashtë ndeshje futbollistin e Benfica-s, Gianluca Prestianni, pas incidentit me Vinícius Júnior gjatë përballjes ndaj Real Madridit në “Champions League”.

Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s vendosi ta ndëshkojë lojtarin argjentinas për sjellje diskriminuese, konkretisht për fyerje homofobe, dhe jo për akuzat fillestare për racizëm. Vetë lojtari kishte pranuar përdorimin e këtyre fyerjeve gjatë ndeshjes.

Sipas vendimit, Prestianni do të vuajë menjëherë tri ndeshje pezullim, ndërsa tri të tjera janë me kusht për një periudhë prove prej dy vitesh. Nëse gjatë kësaj kohe ai nuk përsërit shkelje të ngjashme, pjesa e mbetur e dënimit nuk do të zbatohet.

UEFA ka kërkuar gjithashtu nga FIFA që ky dënim të shtrihet në nivel global. Nëse kjo kërkesë miratohet, Prestianni rrezikon të humbasë edhe ndeshje me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara.

Ky vendim konsiderohet një precedent i rëndësishëm në luftën kundër diskriminimit në futboll, duke dërguar një mesazh të qartë për tolerancë zero ndaj çdo forme fyerjeje në fushë.