Bienalja e Venecias – Rusisë dhe Izraelit u ndalohet marrja e çmimeve kryesore
Rusia dhe Izraeli janë ndaluar të fitojnë çmimet kryesore të Bienales së Venecias, pasi juria e ekspozitës vendosi të përjashtojë vendet, udhëheqësit e të cilave janë paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, juria tha se vendosi të përjashtojë dhënien e Luanit të Artë dhe të Argjendtë të Bienales, e cila akordohet në mbylljen e ekspozitës në shtator, për pavionet kombëtare që u përkasin vendeve, krerët e shteteve të të cilave po përballen me akuza nga GjPN-ja.
Vendimi i paprecedentë prek drejtpërdrejt Rusinë dhe Izraelin. Presidenti rus Vladimir Putin ka qenë nën një urdhër arresti të GJND-së që nga viti 2023 për krime lufte pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u akuzua në vitin 2024 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me konfliktin në Gaza.
Juria tha se ky veprim pasqyron një zgjedhje të qëllimshme për të marrë në konsideratë procedurat ligjore ndërkombëtare, gjatë vlerësimit të përfaqësimeve kombëtare.
Fondacioni i Bienales u përgjigj duke thënë se juria vepron me “autonomi të plotë dhe pavarësi gjykimi”, duke e përshkruar këtë veprim si një “shprehje natyrale të lirisë”.
Vendimi i shton një shtresë të re debatit politik tashmë të nxehtë që rrethon ekspozitën e këtij viti, duke e vënë jurinë në kundërshtim me Presidentin e Bienales, Pietrangelo Buttafuoco, i cili e kishte mbrojtur kthimin e Rusisë në pavionin e saj, duke argumentuar se ekspozita duhet të mbetet "një hapësirë armëpushimi", ku arti mbizotëron mbi gjeopolitikën./ Politico.