Skandali në futbollin italian: deri në 70 futbollistë të përfshirë në rrjetin e prostitucionit dhe drogës
Një hetim i madh në Itali ka zbuluar një skandal të gjerë që përfshin botën e futbollit, ku deri në 70 futbollistë dyshohet se kanë qenë të lidhur me një rrjet prostitucioni dhe përdorimi droge, i organizuar nga një agjenci eventesh në Milano.
Sipas të përditshmes italiane ‘La Gazzetta dello Sport’, hetimet kanë zbuluar se agjencia “Ma. De. Milano” organizonte festa luksoze për klientë të pasur, mes tyre futbollistë, sportistë të tjerë, biznesmenë dhe figura publike. Programi përfshinte darka në restorante ekskluzive në Milano dhe më pas vazhdimin e mbrëmjes në klube private ose dhoma hoteli, ku ofroheshin shërbime eskortash.
Prokuroria e Milanos po heton agjencinë për shfrytëzim dhe bashkëpunim në prostitucion. Në përgjime telefonike janë zbuluar biseda që sugjerojnë organizimin e këtyre takimeve, përfshirë kërkesa specifike për “shoqe me pagesë” për klientë të ndryshëm.
Në dosjen hetimore thuhet se disa nga vajzat e përfshira ofroheshin për marrëdhënie seksuale me pagesë, ndërsa në disa raste raportohen edhe situata të ndjeshme personale, përfshirë një shtatzëni të pretenduar pas një takimi me një futbollist.
Sipas burimeve hetimore, emrat e klientëve nuk janë zyrtarisht nën hetim, pasi në këtë rast nuk përbëjnë vepër penale. Autoritetet italiane theksojnë se marrëdhëniet kanë qenë konsensuale dhe nuk është konstatuar dhunë.
Megjithatë, në dokumente janë përdorur kode për të identifikuar disa klientë të dyshuar, mes të cilëve përmenden emra të njohur të Serie A si lojtarë të Interit, Milanit, Juventusit dhe klubeve të tjera të mëdha italiane.
Ndërkohë, pronarët e agjencisë dhe disa bashkëpunëtorë të tyre janë vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkallën e plotë të përfshirjes në këtë rrjet të dyshuar.