Tragjedi në Itali, vritet një futbollist i ri pas një sherri për pica
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë dhe botën e futbollit. Gabriele Vaccaro, një futbollist 25-vjeçar, ka humbur jetën pasi u sulmua me një kaçavidë gjatë një përplasjeje të dhunshme që nisi për një arsye banale: disa pica.
Ngjarja ndodhi në një parking në qytetin Pavia, rreth orës 03:30 të mëngjesit, kur Vaccaro dhe disa miq të tij po ktheheshin drejt makinës së tyre. Sipas raportimeve policore, ata u përballën me një grup prej pesë të rinjsh, të cilët fillimisht i provokuan dhe më pas kërkuan t’u dorëzoheshin picat që kishin me vete.
Situata degjeneroi shpejt në një përleshje fizike. Gjatë konfliktit, Gabriele Vaccaro u godit në bark me një mjet të mprehtë, që dyshohet të ketë qenë kaçavidë ose shpues, duke i shkaktuar plagë fatale.
Autoritetet italiane kanë arrestuar një të ri 17-vjeçar me origjinë egjiptiane, i cili dyshohet si autori i goditjes. Ai ka zgjedhur të mos japë deklarime gjatë marrjes në pyetje dhe është dërguar në një qendër të paraburgimit për të mitur në Beccaria.
Ngjarja është bërë edhe më e rëndë nga fakti se katër shokët e Vaccaros, të cilët ndodheshin në vendngjarje, po hetohen për mosdhënie ndihme. Sipas hetimeve paraprake, ata nuk morën pjesë në sulm, por nuk njoftuan as shërbimet e emergjencës, duke e lënë futbollistin të plagosur rëndë.
Klubi i tij, CastrumFavara, e ka përkujtuar me një homazh në fushë, ndërsa në një pankartë shkruhej: “Buzëqeshja jote do të jetojë përgjithmonë”. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta dhe tronditje në komunitetin sportiv dhe më gjerë.