Pogba zbulon arsyet e prishjes së marrëdhënies me Mourinho-n, një foto me bashkëshorten shkaktoi përplasjen
Paul Pogba ka zbuluar detaje të reja mbi prishjen e marrëdhënies së tij me trajnerin Jose Mourinho gjatë periudhës së tyre te Manchester United, duke treguar se një incident i lidhur me jetën e tij private ka përshpejtuar përplasjen mes tyre.
Në një podcast të Rio Ferdinandit, mesfushori francez, aktualisht pjesë e Monacos, tregoi se marrëdhënia me Mourinhon kishte nisur mirë, por me kalimin e kohës u tensionua për shkak të lëndimeve dhe presionit mediatik. “Në fillim shkonim shumë mirë, flisnim dhe shkëmbenim mesazhe. Ai është një njeri shumë i veçantë dhe humoristik”, tha Pogba.
Sipas tij, situata ndryshoi kur ai u dëmtua dhe shkoi në Miami për rehabilitim. Gjatë kësaj periudhe, një paparac fotografoi atë me bashkëshorten e tij, Zulay, dhe fotografia përfundoi tek agjenti Mino Raiola, pasi Mourinho ia kishte dërguar.
“Kur e mora vesh, nuk më pëlqeu aspak. I thashë Mourinhos: ‘Seriozisht? Jam i dëmtuar, po stërvitem tri herë në ditë këtu. Kush mendon se jam unë?’”, kujtoi Pogba, duke theksuar se kjo ishte pika e parë e madhe e përplasjes mes tyre.
Ai shtoi se presioni i vazhdueshëm mediatik dhe vendimet e trajnerit, përfshirë heqjen e shiritit të kapitenit dhe kritikat publike, e thelluan krizën. Marrëdhënia mes tyre u prish plotësisht para largimit të Mourinhos nga United në vitin 2018.