Skandal me çmimet e biletave të finales së Botërorit: nga 11 mijë deri në 2.2 milionë dollarë

FIFA është përfshirë në një debat të madh publik pas publikimit të çmimeve marramendëse të biletave për finalen e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet më 19 korrik në “MetLife Stadium” në New Jersey. Në platformën zyrtare të rishitjes së biletave, janë shfaqur çmime që shkojnë deri në 2.2 milionë dollarë për një vend të vetëm.

Bëhet fjalë për katër vende në tribunën e poshtme, pas portës, të cilat janë listuar me çmimin 2.299.998,85 dollarë secili. Ky nivel çmimi ka shkaktuar reagime të forta dhe është cilësuar si i paprecedent në historinë e futbollit ndërkombëtar. Megjithatë, sistemi i përdorur nga FIFA e lejon këtë situatë, pasi nuk vendos një kufi maksimal për çmimet në tregun sekondar të rishitjes.

Sipas rregullave aktuale, FIFA përfiton një komision prej 15% si nga shitësi, ashtu edhe nga blerësi, duke bërë që në rast të një transaksioni në këto shifra, organizata të arkëtonte rreth 690 mijë dollarë për çdo biletë të shitur.

Edhe alternativat më “të lira” mbeten jashtëzakonisht të shtrenjta. Në të njëjtin sektor, disa bileta arrijnë deri në 207 mijë dollarë, ndërsa në tribunën e tretë çmimet zbresin në rreth 138 mijë dollarë ose 23 mijë dollarë. Edhe vendet më të lira për finalen fillojnë nga thuajse 11 mijë dollarë.

Vendimi për të mos vendosur një tavan çmimi është justifikuar nga FIFA si një mënyrë për të luftuar tregun e zi dhe shitjen e paligjshme të biletave. Megjithatë, pasojat janë të dukshme: finalja e Botërorit po shndërrohet në një ngjarje të aksesueshme vetëm për një elitë shumë të vogël tifozësh.