‘Janë përzënë profesionistët’, Sula: Po e zhbëjnë kombin, arsimi nën drejtimin e amatorëve dhe klientëve partiakë

Kriza në arsimin shqiptar nuk është e rastësishme, por pjesë e një strategjie të qëllimshme për të “zhbërë kombin” përmes degradimit të dijes dhe largimit të të rinjve nga bota universitare. Ky është alarmi i dhënë nga drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, e cila gjatë një intrevsitë në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv denoncoi se sistemi arsimor është lënë në duart e personave amatorë dhe të papërshtatshshëm.

Duke folur për situatën aktuale, Sula theksoi se strukturat arsimore janë inekzistente dhe se drejtuesit e tyre janë emërime politike. Si shembull konkret, ajo përmendi rastin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit. Sipas saj, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në dy raporte të ndryshme, e ka cilësuar këtë zyrtar si të papërshtatshëm për pozicionin që mban. “Nuk është hera e parë, është hera e dytë që zoti Tola shënohet si një person që nuk duhet të jetë pjesë e strukturave të sistemit tonë arsimor,” deklaroi Sula, duke shtuar se pavarësisht këtij konstatimi, ai vazhdon të mbajë një post jashtëzakonisht të lartë.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri ajo tha se, arsimi nuk drejtohet nga profesionistë me kontribute, por nga individë të cilëve u është besuar detyra si një shpërblim partiak. Këta të fundit, sipas saj, janë të fokusuar në kryerjen e tenderave, punësimeve partiake dhe menaxhimin e portaleve klienteliste, duke e lënë pas dore misionin kryesor të edukimit.

Flavio Qarri: Një arsim në krizë, me një krizë që mund të thellohet edhe më tej. Nuk e di se çfarë mund të ketë më të frikshme se kaq. Do na e thotë Lili Sula, drejtuesja e Departamentit të Arsimit pranë opozitës, Partisë Demokratike. Çështja është e thjeshtë, besoj e dëgjuat pashmangshmërisht dje ministren e Arsimit, që e njohim si ministre e Kulturës, por tani më i kanë varur në qafë çelësat e arsimit, pas një arradhe kolegësh të cilat, duhet thënë, kanë bërë një punë goxha të mirë për ta dëmtuar arsimin shqiptar. Çfarë vutë re? Çfarë ju vrau syrin, veshin ditën e djeshmë?

Lili Sula: Eshtë një proces i gjatë i rrënimit të arsimit në fakt, Flavio, që siç e kemi thënë dhe herë të tjera, nuk është i rastësishëm. Është një strategji për ta zhbërë kombin, dhe zhbërja e kombit më së pari vjen edhe nga dituria, nga largimi i qasjes që kanë nxënësit, studentët, bota universitare. Pra një zhbërje në sistem dhe në qelizë, ashtu siç e kemi shprehur edhe në deklaratë.  Strukturat tona arsimore janë inekzistente. Sot në Ministrinë e Arsimit, ndoshta nuk e keni vënë re raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, përsëri sekretari i përgjithshëm në raportin e dytë të KLSH-së, del me sugjerimin ose me idenë nga KLSH-ja që nuk është i përshtatshëm për strukturat shtetërore. Po kështu, drejtoresha e arsimit…

Flavio Qarri: Një mënyrë elegante për të thënë s'ka asnjë lidhje me atë punë dhe duhet pushuar me urgjencë.

Lili Sula: Unë po e them në mënyrë shumë të hapur dhe shumë publike që ta kuptojë publiku. Kontrolli i Lartë i Shtetit është struktura më e lartë që kontrollon përputhshmërinë ligjore të një institucioni arsimor. Dhe nuk është hera e parë, është hera e dytë që zoti Tola shënohet si një person që duhet të shmanget dhe duhet, s'duhet të jetë pjesë e strukturave të sistemit tonë arsimor. Aq më tepër që mban një pozicion jashtëzakonisht të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe ka mbajtur për vite dhe për vite. Ju sugjeroj ta shikoni raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka dalë para pak ditësh, me këto vërejtje jashtëzakonisht të rënda për Ministrinë e Arsimit. Pra, nuk e shikoj këtë, këtë degradim të plotë të sistemit tonë arsimor vetëm në një ditë dhe vetëm në një periudhë.

Me shumë të drejtë ju vëreni që arsimi ynë është drejtuar nga persona amatorë, nuk është drejtuar nga persona që e kanë pjesë të jetës së tyre arsimin, që kanë kontribute ose që kanë një lidhje organike, të mirëfilltë me këtë profesion. Arsimi është drejtuar nga persona të cilëve ju është besuar kjo gjë si një besueshmëri politike, partiake për të kryer disa arradha të tjera të tenderave, të punësimeve partiake, të lloj-lloj portalesh që janë në emër të Shqipërisë, por në fakt janë në emër të partisë. Kështu që, ky lloj degradimi shfaqet dje, u shfaq para dy-tre ditësh në komisionin e Edukimit në Kuvendin tonë, është shfaqur po kështu me një sistem të gjerë nga parashkollori në sistemin më të lartë universitar, me nepotizëm të shfrenuar, me ndërhyrje të shtetit partiak në kodet e administrimit, siç po kështu, siç keni vënë re, shfaqet me një turbullirë të vazhdueshme për t'i mbajtur mësuesit, këto misionarë të dijes, që investojnë në mënyrën më fisnike, ë, ndërtimin, krijimin e brezave të ardhshëm, forcimin e fëmijëve. Kushdo nga ne është prind dhe e di shumë mirë se çfarë peshe, çfarë roli ka shkolla si institucion për të formësuar fëmijët, për t'i edukuar, për t'i bërë qytetarë. Dhe mësuesit sot janë nën presionin që ose do të futen në portal dhe për të dhënë testimin e licensimit, edhe pse kanë mbaruar para vitit kur ka dalë ligji i profesioneve të rregulluara, pra i licensimit dhe të drejtës së ushtrimit të profesioneve, pra të mësuesisë, ose janë të presionuar për t'u humbur orët mësimore, sepse ka edhe një problem shumë të madh tjetër që ka të bëjë me faktin që vjen shtatori dhe drejtorët e shkollave e kanë shumë të lehtë ta anashkalojnë, ta shmangin një mësues, ose ta copëzojnë një mësues në tre shkolla sepse nuk i plotëson orët mësimore në shkollën në të cilin ai është. Dhe ky presion po i bëhet sidomos gjatë këtyre ditëve mësuesve që të futen të japin provimin e licensimit.

E para, ju e vutë re me të drejtë që mësuesit humbasin garancitë juridike. Pra, unë jam mësuese sot, rilindja bën një ligj dhe mua më përfshin në një proces të cilit nuk më takon. Së dyti, këto mësues kanë nxjerrë qindra dhe mijëra nxënës nga duart e tyre…