Arabia Saudite emëron trajnerin e ri përpara Botërorit 2026

Federata e futbollit e Arabisë Saudite ka zyrtarizuar emërimin e Georgios Donis si trajnerin e ri të kombëtares, në prag të Kupës së Botës FIFA 2026.

Tekniku grek, 56 vjeç, merr drejtimin e ekipit pas shkarkimit të Herve Renard në fillim të muajit prill, më pak se dy muaj para nisjes së Botërorit. Arabia Saudite do ta nisë aventurën e saj në turne më 15 qershor me sfidën ndaj Uruguait.

Federata saudite konfirmoi përmes një njoftimi zyrtar se kontrata e Donisit do të zgjasë deri në korrik të vitit 2027, duke i besuar atij projektin afatmesëm të përfaqësueses.

Donis ka një eksperiencë të gjerë si trajner, kryesisht në Greqi, ku ka drejtuar klube të njohura si AEK Athinë dhe Panathinaikos. Ai gjithashtu ka punuar edhe më parë në Arabinë Saudite, ndërsa së fundmi ishte në krye të Al Khaleej, që prej vitit 2024.

Donis pason Renard-in, i cili arriti ta kualifikonte Arabinë Saudite për herë të shtatë në historinë e saj në një Botëror dhe për herë të tretë radhazi.

Në Botërorin 2026, Arabia Saudite bën pjesë në Grupin H, ku do të përballet me Spanjën, Uruguain dhe Kepin e Gjelbër. Turneu do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe pritet të jetë një provë e rëndësishme për trajnerin e ri dhe skuadrën saudite.