Fundi i një epoke te Roma/ Claudio Ranieri drejt largimit, pritet vetëm zyrtarizimi
Historia mes Claudio Ranierit dhe Romës është praktikisht drejt fundit. Në orët në vijim pritet vetëm njoftimi zyrtar nga pronarët Dan Friedkin dhe Ryan Friedkin, të cilët kanë vendosur t’i japin fund bashkëpunimit me këshilltarin aktual të klubit.
Vendimi vjen pas deklaratave publike të Ranierit më 16 prill kundër trajnerit aktual Gian Piero Gasperini. “Tre trajnerë para tij i kanë thënë jo Romës”, ishte fraza që krijoi një përçarje të fortë brenda klubit. Kjo dalje nuk u prit mirë as nga drejtuesit amerikanë, të cilët pas vlerësimeve të brendshme kanë vendosur për ndarjen.
Aktualisht po punohet për një marrëveshje të përbashkët, me synimin që largimi të ndodhë në mënyrë të qetë dhe pa tensione. Ranieri, i rikthyer në pankinë në nëntor 2024, ishte shumë pranë kualifikimit në UEFA Champions League sezonin e kaluar, duke e humbur objektivin vetëm për një pikë. Më pas ai mori rolin e “Senior Advisor”, me kontratë deri në vitin 2027.
Megjithatë, sipas burimeve pranë klubit, roli i tij nuk është interpretuar gjithmonë në mënyrë të qartë, pasi 74-vjeçari është përfshirë edhe në çështje jashtë kompetencave të tij. Kjo, së bashku me polemikat publike, ka shtyrë drejtuesit të ndërmarrin një ndryshim rrënjësor.
Së bashku me Ranierin pritet të largohet edhe krahu i tij i djathtë, Frederic Massara. Ndërkohë, Roma do ta mbyllë sezonin me Gasperinin në krye, edhe pse e ardhmja e tij në kryeqytet mbetet ende e paqartë.