Finlanda heq kufizimet për praninë e armëve bërthamore në tokën e saj?
Qeveria finlandeze i propozoi sot parlamentit të saj të ndryshojë ligjin dhe kodin penal me qëllim heqjen e pengesave ligjore për importin e armëve bërthamore në Finlandë, si dhe për transportin, furnizimin ose posedimin e tyre, njoftoi Ministria e Mbrojtjes atje.
Shtohet se qëllimi është përmirësimi i mbrojtjes kombëtare, mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe bashkëpunimit mbrojtës.
“Propozimi synon të rrisë sigurinë e Finlandës në një mjedis strategjik të paparashikueshëm”, tha Ministri i Mbrojtjes Antti Hakkanen, duke e quajtur ndryshimin legjislativ “të nevojshëm”.
Hakanen tha në mars se mjedisi i sigurisë në Finlandë dhe Evropë kishte ndryshuar rrënjësisht dhe ishte përkeqësuar me pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.