‘450 euro për 49% të kompanisë dhe 10.5 mln euro kontratë’/ Balliu zbulon skemën e dyshimtë me ‘TIMAK Defence’
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka ngritur akuza të forta për një aferë korruptive në sektorin e mbrojtjes, duke përfshirë kompani shtetërore dhe private.
Në një intervistë për SYRI TV, me moderatorin Armela Ferko, ai deklaroi se kompania TIMAK ka shitur 49% të aksioneve për vetëm 450 euro tek biznesmeni Ron Yefet, ndërsa pak muaj më pas, përmes bashkëpunimit me një strukturë shtetërore, është përfituar një kontratë prej 10.5 milionë eurosh. Sipas Balliut, kjo skemë ngre dyshime serioze për korrupsion dhe mungesë transparence, ndërsa ai theksoi gjithashtu shqetësime për çështje të sigurisë kombëtare dhe konflikte pronësie të lidhura me aktivitetin e kompanive të përfshira.
Klevis Balliu: KAYO, kjo kompani shtetërore, ka lidhur një marrëveshje me një kompani që është TIMAK. Kompania TIMAK është një kompani që është propaganduar më së shumti nga vetë kryeministri, madje pronarin, Arjeta Puca, e ka marrë dhe në podkastin e vet. Kjo kompani deklaronte dhjetëra milionë euro xhiro, por ndërkohë shet 49% të kompanisë për vetëm 450 euro pikërisht tek Ron Yefet. Dhe pasi shitet për 450 euro, që qartazi është një marrëveshje fiktive, katër muaj më pas, KAYO merr këtë kompani, bashkëpunon me këtë kompani dhe bashkëthemelojnë një kompani tjetër që është kompania ‘B’, po themi, TIMAK Defence. ‘TIMAK Defence’, pasi themelohet, nuk kalojnë as katër muaj dhe merr 10.5 milionë euro. Pra, Roni Yefet, që njihet si miku i Edi Ramës, fut 450 euro për të marrë 49% të një kompanie që vlen dhjetëra miliona euro dhe me këtë kompani mbas katër muajsh merr dhe 10.5 milionë euro të tjera. Që është një, qartazi një aferë korruptive. Vetëm me 450 euro. Sot me 450 euro nuk gjen dot një qira mujore në Astir. Kurse ky blen një kompani që vlen dhjetëra miliona euro.
Së dyti, kjo kompani ka treguar që ka një organizëm dhune për vjedhje prone, për vjedhje toke. Ka qenë i njëjti rast me një media në Shqipëri, që hyjnë dhe e morën... Ata kishin një vendim gjykate që mund të vazhdonin, po e morën. Kjo nuk është rast i izoluar. Çfarë ndodh aktualisht në zonën Babrru-Kodër? Familja Dervishi është një familje e cila e ka pronën atje prej vitesh. Ajo dikur ka qenë pronë e tyre, e ka marrë më pas shteti dhe më pas shteti përsëri nëpërmjet vendimit të gjykatës, i kthen pronën dhe ata e kanë që nga viti 1999 që i kanë këto dokumenta dhe këto prova. Kanë hyrë, ja kanë marrë këtë pronë. Po jo vetëm i kanë marrë këtë tokë, këtë pjesë tokësh, por nuk i lejojnë as jashtë gardhit ku vetë këta po punojnë sot.
E kanë marrë me dhunë. E kanë marrë, kanë hyrë aty dhe po bëjnë ndërtim. Dhe këta i kanë përzënë nga prona e vet dhe i kanë bllokuar edhe rrugën për të shkuar në shtëpi. Domethënë, është një, është një skandal dhe unë i kërkova që zotëri, ja ku i ke dokumentat. I kisha dokumentat me vete, merri dokumentat. Dhe familja atje për hir të së vërtetës ata thonë dhe këtë, që ne e kuptojmë që shtetit mund t'i duhet për interes kombëtar meqënëse është ushtria, po të bëjmë një kontratë, të marrim një qira, të marrim diçka, se në fund të ditës është prona jonë. Siç ndodh në çdo vend të botës. Përpos faktit, kjo kompani lidhet dhe me një kompani tjetër ‘Elbit System’. Një kompani e cila është aktualisht nën hetim nga NATO. Këtë jo se e themi ne po e thonë, e thotë NATO, nuk e themi ne, ne jemi anëtarë të NATO-s. Dhe çfarë ka ndodhur? Të gjithë vendet anëtare kanë pasur lidhje me këtë kompani dhe të gjitha vendet anëtare i kanë pezulluar kontratat. Ndërsa, ndërsa ky jo vetëm nuk pezullon, po ky bën kontrata të reja me Elbit System. Dhe aty, ku mbart i marrëveshjes është përsëri Roni Yefet. Përsëri miku i Edi Ramës. Një njeri i cili, njëkohësisht, është dhe në biznes me eksponentë të niveleve të larta të biznesit rus. Tani ne jemi vend anëtar i NATO-s. Ne jemi të qartë se ku është NATO në lidhje me Rusinë dhe ku jemi dhe ne në lidhje me Rusinë edhe pa qenë në NATO fare për shkak të Serbisë. Dhe ç'na duhet një Ron Yefet, një biznesmen i lidhur me rusët, të merret me sigurinë kombëtare të vendit. Pikërisht këto pyetje unë i ngrita dhe për këto unë nuk mora absolutisht asnjë përgjigje. Dhe ja thashë që ai nuk e ka as në dorë të japë përgjigje sepse këto janë të gjitha afera direkte të Edi Ramës dhe përdor këta.