Formula 1/ Shefi i McLaren sulmon Mercedesin

Shefi i McLarenit, Zak Brown, ka rikthyer kritikat e tij të forta ndaj strukturave me më shumë se një skuadër në Formula 1, duke vënë në shënjestër interesin e Mercedesit për të investuar te Alpini.

Amerikani nuk e ka fshehur pakënaqësinë për këtë lëvizje, duke e cilësuar si një kërcënim për integritetin e sportit.

Sipas Brown, prania e skuadrave të lidhura mes tyre krijon pabarazi dhe situata të diskutueshme në garë.

Ai solli si shembull një episod nga sezoni 2024, kur Daniel Ricciardo, në kohën kur garonte për Racing Bulls, ndikoi në renditje duke i marrë një pikë McLarenit, çka sipas tij favorizoi Max Verstappenin dhe Red Bullin në Çmimin e Madh të Singaporit.

“Prej vitesh jam kundër skuadrave që kanë ekipe A dhe B. Kjo nuk i bën nder këtij sporti dhe rrezikon garën e ndershme. Kemi parë edhe transferime të menjëhershme të të dhënave dhe stafit mes ekipeve, gjë që nuk është e drejtë”, u shpreh Brown.

Deklaratat e tij vijnë në një moment delikat për Formula 1, ku diskutimet për bashkëpunimet mes skuadrave janë shtuar ndjeshëm.

Interesi i Mercedesit për të hyrë në strukturën e Alpin-it ka hapur debate të reja mbi kufijtë e lejuar të bashkëpunimit.

Ndërkohë, Brown nuk hezitoi të bëjë edhe një parashikim të fortë për të ardhmen e kampionit në fuqi.

Duke folur në kuadër të eventit të Çmimit të Madh të Miamit, ai deklaroi se do të vinte bast për një transferim të Max Verstappenit te Mercedesi në të ardhmen.

Një deklaratë që pritet të ndezë edhe më shumë spekulimet në paddock, ndërsa merkatoja e pilotëve vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta në Formula 1.