Ben Andoni: Shqipëria mbetet në vendnumëro, integrimi në BE gjithnjë e më i largët
Politologu Ben Andoni ka dhënë një panoramë mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi nuk është më në avantazh krahasuar me rajonin.
Në një intervistë për SYRI TV, me moderatorin Edvin Parruca, ai u shpreh se ndonëse Shqipëria përfitoi nga hapja e kapitujve, faza aktuale është më e vështira dhe po nxjerr në pah probleme të thella, nga ekonomia te krimi i organizuar. Sipas Andonit, Mali i Zi vijon të jetë më i avancuar në proces, ndërsa Shqipëria përballet me vonesa dhe sfida që e bëjnë perspektivën e anëtarësimit në Bashkimi Europian më të largët se sa paraqitet në diskursin zyrtar.
Ben Andoni: Thjesht duhet bërë një saktësim. Shqipëria me, ose më saktë, Mali i Zi me Shqipërinë, kanë qenë ‘front-runner’ vetëm për, domethënë para tyre, vetëm për një segment të vogël. Sepse, qoftë me metodologjinë e parë, qoftë me metodologjinë e dytë, ku Shqipëria përfitoi shumë nëpërmjet metodologjisë së dytë, ne tani kemi hapur të gjithë kapitujt. Vetëm në këtë moment, dhe për shkak të problemeve shumë të mëdha që ka Serbia dhe po ashtu edhe Maqedonia e Veriut, ne atëherë përfituam. Por, për hir të vërtetës, Mali i Zi është vërtetë në ballë të gjithë procesit. Ata kanë probleme shumë të mëdha politike të brendshme, për hir të vërtetës. Dhe duhet t'i themi disa gjëra. Por ndërkohë, kanë qenë si më të strukturuar se ne përsa i përket integrimit në vend. Dhe këtë detyrë ata nuk e kanë bërë vetëm me vizionin e tanishëm kur u ndërrua metodologjia, por dhe më përpara. Ndërkohë që Shqipëria realisht, ndryshe nga skenari shumë optimist që i jepet, Shqipëria ka ngelur në procesin që ndodhet ndërmjet pjesës së Komisionit Evropian dhe tashmë të pjesës e cila do merret në Këshillin e Evropës me miratimin e IBAR. Ky është një proces jashtëzakonisht i vështirë.
Shqipërisë tashmë po i evidentohen probleme të jashtëzakonshme, që është problemi, të themi, i shpërndarjes së pasurive për shkak se inflacioni është shumë i madh, çmimet janë të barabarta tani me Bashkimin Evropian, por te pagat në sektorin publik është jashtëzakonisht i madh në aspektin negativ. Është aspekti i krimit të organizuar dhe ka dhe elementë të tjerë të cilët, për të cilat vendet e ndryshme, sidomos nëntë prej tyre, kanë shfaqur hapur, të themi, shqetësime dhe e kanë adresuar mënyrën se si ata e shikojnë këtë proces. Prandaj në këtë sens, optimizmi nuk është aq tek ne, ishte deri në momentin realisht të hapjes së kapitujve. Por tashmë fillon pjesa më e vështirë dhe unë po besoj që këtu po dalin jo thjesht mangësitë e asaj hapjes së kapitujve, por dhe, të themi, puna e qeverisë sonë, e cila në tre mandate të saj, tre mandate e gjysëm po shkon tani, ka provuar që është shumë larg atij projeksionit të vendit tonë. Por, nga ana tjetër ne nuk duhet t'i shmangemi dot.
Projeksioni tashmë, dhe ju e thatë me të drejtë, që mbledhja ose të themi traktati që po bëhet ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi është e para që bëhet mbas disa viteve, dhe është hap shumë pozitiv për të gjitha vendet tona, sepse tregon interesimin. Por nga ana tjetër për Shqipërinë, ky proces duket i largët. Mali i Zi duket se do hyjë në 2028-ën, Shqipëria ka treguar vonesa të mëdha. Por deri tani, të themi, objektivat janë jashtëzakonisht larg për vendin tonë. Ka një lajm, të themi, deri diku pozitiv për, për kapitullin e parë ose klasterin e parë të thuash, ku Shqipërinë e vlerësojnë për shkak të emrave që ka çuar përpara drejtësisë, dhe është ky elementi i drejtësisë, i shtetit të së drejtës. Por, arrestimet e fundit dhe sidomos problemi i AKSHI-t, ka nxjerrë që krimi i organizuar në Shqipëri ka përmasa të jashtëzakonshme dhe kjo e korrupton deri diku edhe atë pozitivitetin që ka Shqipëria për klasterin e parë. Dhe po ta kemi vënë re me kujdes, faktorë të ndryshëm, fuqiplotë, qofshin dhe trupa diplomatike në Shqipëri, skandalin e Akshit e kanë trajtuar jashtëzakonisht fort, se lidhet me jetimin e parave dhe procedura ose mënyra se si vepron Akshi, ka lidhje dhe me vende të Bashkimit Evropian.