Syri Tv/ Lushnje - 320 mln lekë investim mbeten rrugëve, lagjja '18 Tetori' në kaos e ndotje

Një investim i bashkisë Lushnje në lagjen ’18 tetori’ ka mbetur përgjysëm. Edhe pse ishte parashikuar që investimi të përfundonte brenda muajit Mars, prej 5 muajsh rrugët ‘Hysni Gorovelli’ dhe ‘Athina Dhimitri’ kanë mbetur në gjendje të degraduar, me kanale dhe puseta të hapura, duke rrezikuar jetën e banorëve. Ndërkohë Bashkia dhe Ujësjellës Kanalizimet fajsojnë njëra-tjetrën për ngecjen e zbatimit të projektit

Nga Syri TV

Një investim prej 320 milionë lekësh të Bashkisë Lushnje për përmirësimin e dy rrugëve në lagjen ‘18 tetori’ kanë shkuar dëm. Punimet e nisura në nëntor të vitit 2025, kanë mbetur në vendnumëro prej 25 dhjetorit të vitit të shkuar.

Ndonëse investimi duhet të përfundonte brenda muajit Mars, prej 5 muajsh nuk është lëvizur asnjë lopatë. Që prej ditëve të fundit të vitit 2025, rrugët "Hysni Gorovelli " dhe "Athina Dhimitri" kanë mbetur kështu siç duken në këto pamje, me banorët e zonës që shprehen të shqetësuar për këtë situatë. Kanalizime të mbetura të hapura dhe me erë të rëndë, puseta të pambyllura që përbëjnë rrezik për jetën e komunitetit si dhe hapësira banesash të shembura e të mbetura hapur, ku kushdo mund të hyjë pa asnjë lloj pengese.

Për situatën krijuar në këto dy rrugë, të mbetura mes investimit dhe rrënimit, ka reaguar dhe sekretari politik i PD Lushnje njëherazi anëtar i këshillit bashkiak Lushnje, Klement Çela i cili kërkon nga autoritetet vendore të mbyllet sa më shpejt ky investim që ka mbetur gjysmak dhe që po financohet me paratë e taksapaguesve lushnjarë.

Kryetarja e bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa konfirmon se ndalimi i punimeve ka ndodhur për shkak se Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizime rajoni Lushnje ende nuk ka gjetur kuotat e shkarkimit të kanalizimeve të ujërave të zeza për banesat e këtyre dy rrugëve. Nga ana tjetër, këta të fundit theksojnë faktin se këto kuota duhej të ishin parashikuar në projekt dhe jo të kërkohen pasi janë bërë kanalizimet pa kuotat e duhura.