Alarm në Fierzë/ Liqeni mbushet me mbetje, tonelata plehrash pushtojnë brigjet
Ndotja e liqenit të Fierzës është rikthyer sërish me intensitet gjatë kësaj pranvere, si pasojë e reshjeve të dendura dhe erërave të forta që kanë përfshirë ditët e fundit zonën e Kukësit.
Rritja e nivelit të ujërave ka sjellë në sipërfaqe dhe në brigje sasi të mëdha mbetjesh urbane, plastike dhe materiale të tjera, duke ndotur rëndë basenin më të madh ujor në vend. Tonelata mbeturinash janë grumbulluar kryesisht në zonën përballë fshatit Breglumë, duke krijuar një situatë shqetësuese për mjedisin.
Sipas të dhënave, ndotja shkaktohet kryesisht nga mbetjet që transportohen nga rrjedhat e lumenjve që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe nga disa njësi administrative brenda qarkut të Kukësit.
Megjithëse Bashkia Kukës ka ndërhyrë vazhdimisht përmes një anijeje ekologjike për pastrimin e ujërave, situata përsëritet sa herë ka reshje intensive dhe rritje të nivelit të liqenit, duke e bërë ndotjen një problem të vazhdueshëm dhe të vështirë për t’u menaxhuar.