Fshati drejt boshatisjes / Karkaveci i Prrenjasit braktiset nga të rinjtë, banorët: Nuk na ka mbetur shpresë

Vetëm 10 kilometra larg qendrës së Prrenjasit, fshati Karkavec po përballet nga viti në vit me një realitet gjithnjë e më të zymtë: largimin masiv të të rinjve dhe braktisjen e zonës.

Banorët që kanë mbetur tregojnë se përditshmëria e tyre është bërë gjithnjë e më e vështirë për shkak të mungesës së investimeve bazë.

Sipas tyre, problemi kryesor mbetet infrastruktura rrugore, e cila është në gjendje të amortizuar dhe vështirëson lëvizjen drejt qytetit. Po ashtu, mungesa e ndriçimit dhe problemet me furnizimin me ujë të pijshëm e rëndojnë edhe më tej jetesën në zonë.

Dikur, Karkaveci njihej për prodhimtarinë në bujqësi, veçanërisht në vreshtari dhe pemëtari. Sot, një pjesë e madhe e tokave janë lënë djerrë.

Banorët thonë se kjo ka ardhur si pasojë e largimit të të rinjve, por edhe për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti dhe kostove të larta të punës, sidomos pas rritjes së çmimit të naftës.

Në këto kushte, mungesa e krahut të punës është bërë një tjetër problem serioz për zonën.

Sipas banorëve, një ndër arsyet kryesore që ka detyruar të rinjtë të largohen është mungesa e punësimit dhe e të ardhurave për të mbajtur familjet e tyre.

Të moshuarit që kanë mbetur në fshat shprehen se jetesa është bërë tepër e vështirë, ndërsa largimi i fëmijëve ka qenë i detyruar nga kushtet ekonomike.

Ata paralajmërojnë se nëse situata vazhdon në të njëjtat kushte, shumë shpejt Karkaveci rrezikon të mbetet pa asnjë banor.