Volteri, filozof: Lumturia nuk është të bësh gjithmonë atë që dëshiron, por të duash atë që bën

Është e pamundur të kuptohet mendimi i sotëm pa ndikimin e mendimtarëve të mëdhenj të historisë. Filozofët klasikë si Seneka apo Pitagora ishin referenca për mendimin perëndimor, por edhe në shekujt pasues pati figura të tjera me ndikim të madh.

Një nga këta filozofë modernë që ka ndikuar në mendimin aktual është François-Marie Arouet, i njohur më mirë si Volteri, një shkrimtar, historian, filozof dhe jurist gjatë periudhës së Iluminizmit në Francë. I lindur në shekullin XVIII, jeta e tij u karakterizua nga kritika e vazhdueshme ndaj pushtetit dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes.

Ai u burgos në burgun e famshëm të Bastijës dhe u internua në Angli, në të dy rastet sepse sfidoi pushtetin me deklaratat dhe shkrimet e tij. Gjithashtu pati konflikte me kishën, pasi kritikonte ashpër fanatizmin fetar.

Një figurë si Volteri, që jetoi në rrethana shumë të ndryshme dhe u përball me vështirësi si burgimi, foli qartë për atë çfarë do të thoshte për të lumturia, një nga konceptet më të kërkuara nga njerëzimi gjatë historisë.

Citatin e saktë që Arouet përdori në veprën e tij "Kandidi" ishte: "Lumturia nuk është të bësh gjithmonë atë që dëshiron, por të duash atë që bën". Me këtë ai donte të thoshte se përmbushja nuk varet nga liria absolute, sepse lumturia e vërtetë qëndron në gjetjen e kënaqësisë në atë që kemi mundësi të bëjmë.

Volteri ishte shumë i vetëdijshëm se njeriu nuk mund të zgjedhë shumë nga rrethanat e jetës. Në një kohë kur klasat shoqërore dhe hierarkitë po bëheshin gjithnjë e më të pranishme, ai mendonte se duhet të përqendrohemi më shumë te vetja dhe tek ajo që kemi në kontroll, sesa te faktorët e jashtëm.

Gjithashtu, ai përpiqej të ishte realist dhe nuk priste një botë utopike, por i inkurajonte njerëzit të "kultivojnë kopshtin e tyre" me kuptim, pra të përqendrohen te zhvillimi i brendshëm dhe mënyra e të menduarit. / MundoDeportivo – Syri.net