E djathta europiane po largohet nga Amerika
Logjika elektorale po shtyn këtë ndryshim, ndërsa sondazhet tregojnë qartë pakënaqësinë e europianëve ndaj administratës amerikane
Nga Jeremy Cliffe/
Me rënien e Viktor Orbánit, një nyje kyçe në marrëdhënien mes Maga-s dhe së djathtës europiane është rrëzuar. Modeli i tij autoritar ishte një frymëzim për mandatin e dytë të Trump-it dhe Budapesti ishte bërë një qendër për ekosistemin e djathtë transatlantik. Hungarezët e dinin shumë mirë çfarë po largonin kur mbështetën partinë opozitare Tisza të konservatorit Péter Magyar: edhe pse shqetësimet kryesore ishin standardi i jetesës dhe shërbimet publike, plot 85 për qind e votuesve të saj donin gjithashtu një marrëdhënie ndryshe me SHBA-në.
Rezultati i zgjedhjeve në Hungari konfirmoi një prirje më të gjerë: afrimi mes së djathtës europiane dhe asaj amerikane pas fitores së Trump-it në zgjedhjet e vitit 2024, së fundmi është kthyer në largim. Pas fitores së tij, konservatorët tradicionalë europianë pro-atlantikë (optimistë se mund ta frenonin apo edhe ta përfshinin një president të etur për marrëveshje) dhe e djathta radikale (që e shihte fitoren si legjitimuese dhe si burim vrulli për mbështetje të ardhshme) u përpoqën ta përqafonin. Të dy këto qëndrime tani po zbehen.
Konservatorët kryesorë europianë, si kancelari gjerman Friedrich Merz, po lëvizin, edhe pse me pasiguri, drejt një qëndrimi më kritik ndaj Trump-it. Nacionalistët po largohen prej tij më shpejt se rryma kryesore. Rassemblement National në Francë reagoi shpejt dhe me siguri kundër planeve të Trump-it për Groenlandën dhe Iranin. Në Berlin, drejtuesit e Alternativës për Gjermaninë (AfD) bënë fushatë kundër luftës me Iranin dhe u kërkuan kolegëve të kufizojnë vizitat në Uashington. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bllokoi përdorimin e një baze ajrore në Siçili për operacione kundër Iranit dhe i quajti “të papranueshme” sulmet e Trump-it ndaj Papës.
Pas kësaj qëndron një logjikë elektorale. Sondazhet po tregojnë qartë pakënaqësinë e europianëve ndaj administratës amerikane. Në zgjedhjet në Danimarkë muajin e kaluar, edhe Partia Popullore Daneze e ekstremit të djathtë e refuzoi presidentin amerikan. Në Hungari, një nacionalist që kundërshtoi nënshtrimin e vendit ndaj Maga-s mundi një lider që e mbështeste atë. Ndërsa disa vende europiane përgatiten për zgjedhje të rëndësishme në 18 muajt e ardhshëm, përfshirë zgjedhje kyçe në lande në Gjermani dhe zgjedhje të përgjithshme në Francë, Itali, Poloni dhe Spanjë, e djathta po i kushton vëmendje kësaj.
Megjithatë, ka shenja se po ndodh diçka më e thellë përtej llogarive elektorale. E djathta europiane, nga moderatët te radikalët, po rizbulon një frymë autonomie europiane. Gjatë fushatës, Magyar deklaroi se “historia hungareze nuk shkruhet në Uashington”. Në një fjalim të fundit në parlamentin italian, Meloni kritikoi liderët e mëparshëm italianë që ishin “të kënaqur me një përkëdhelje në shpinë apo një tweet mbështetës” nga presidentët amerikanë dhe theksoi: “Historia po troket në derë dhe Europa nuk duhet të dështojë në këtë provë.”
Jean-Pascal Hohm, lideri i të rinjve të AfD-së, shkroi pas humbjes së Orbánit se “e ardhmja e partive të djathta europiane qëndron në Europë” dhe se marrëdhëniet me vendet e tjera europiane “janë gjithmonë më të rëndësishme për ne sesa çdo linjë e veçantë me Moskën, Pekinin apo Uashingtonin”.
Politikanët europianë, nga qendra e djathtë deri te nacionalistët më të fortë, ndihen të zhgënjyer nga afrimi ose lidhja e tyre me presidentin amerikan. Ata po kthehen drejt një vizioni për një marrëdhënie më të largët mes Europës dhe SHBA-së, duke rikthyer ide dhe figura më të vjetra politike. Charles de Gaulle po bëhet sërish i rëndësishëm, jo vetëm në të djathtë. Ndërkohë, te nacionalistët më radikalë, ky moment shihet si një mundësi për t’u rilidhur me idetë e Carl Schmitt, Oswald Spengler dhe Julius Evola, mendimtarë që e shihnin SHBA-në si një shoqëri dekadente, “plutodemokratike”, në kontrast me një Europë etnike që supozohej më shpirtërore.
Ndoshta kjo nuk do të sjellë ndryshime të mëdha. Por largimi i së djathtës europiane nga SHBA është i sinqertë, jo vetëm taktik. Dhe veçanërisht e djathta radikale ka një histori të përshtatjes së shpejtë ndaj zhvillimeve të trazuara globale; ata janë “sipërmarrës krize”, të aftë të përshtatin politikën e tyre sipas krizës së eurozonës, krizës së migracionit, pandemisë dhe më pas luftës së Rusisë në Ukrainë. Prandaj është e besueshme që ata të përshtaten edhe me rënien e Euro-Trumpizmit në mënyrë po aq të shpejtë, duke kaluar pa ndonjë sentimentalizëm drejt një politike të pavarësisë europiane nga SHBA.
Kjo paraqet një sfidë për partitë qendrore dhe progresiste, të cilat mund të gjenden të tejkaluara nga e djathta në kundërshtimin ndaj Trump-it. Zgjidhja është të veprojnë shpejt për të krijuar një vizion të tyre, konkurrues, më të sigurt dhe më bindës emocionalisht për një Europë më autonome. /FT – Syri.net