Nga ‘tutat’ te integrimi, kontrasti mes Shqipërisë dhe Malit të Zi
Dy lajme që dominuan hapësirën mediatike një ditë më parë në Tiranë.
I pari që zuri ballinën e 90% të mediave në Tiranë, që janë të kapura nga pushteti, ishte një kompliment simbolik për veshjen e Edi Ramës nga homologu i tij grek, gjatë vizitës në Athinë të kryetarit të qeverisë shqiptare.
Lajmi tjetër që zuri vetëm 10% të ballinave të mediave, përgjithësisht ato që janë kritike me qeverinë, ishte vlerësimi i progresit të Mali i Zi në procesin e integrimit në Bashkimi Europian. Në pamje të parë duken të parëndësishme për t’u krahasuar, por në thelb, ato tregojnë se si Edi Rama kontrollon narrativën e lajmeve në Tiranë, duke sajuar vizita e takime vetëm e vetëm që të minimizojë lajmet që vërtetë duhej të tronditnin politikën në Shqipëri.
Rasti i parë, ai i Edi Ramës në Athinë është tipik për një komunikim politik të orientuar drejt imazhit. Një koment për veshjen sportive të Ramës, i bërë nga Kyriakos Mitsotakis, u amplifikua në media dhe rrjete sociale, duke krijuar një valë diskutimesh që zhvendos vëmendjen nga temat thelbësore.
Kjo është një strategji e njohur: personalizimi i politikës dhe fokusimi te detaje periferike për të mbajtur narrativën publike larg çështjeve strukturore si ekonomia, drejtësia apo integrimi.
Në kontrast, lajmi për Malin e Zi që Bashkimi Europian po i bën gati traktatin e anëtarësimit, është i natyrës institucionale dhe lidhet drejtpërdrejt me progresin konkret në rrugën drejt Unionit të shtetit të vogël kufitar, që vetëm në 21 maj 2006 u bë i pavarur nga Serbia.
Ky lajm reflekton një proces të matshëm: reforma, standarde dhe kapituj negociatash që avancojnë. Ndryshe nga narrativa e parë, këtu kemi një vlerësim që lidhet me performancën shtetërore dhe jo me imazhin individual.
Krahasimi mes këtyre dy lajmeve nxjerr në pah një diferencë të rëndësishme:
ndërsa një pjesë e diskursit publik në Shqipëri dominohet nga elementë simbolikë dhe spektakolarë, vendet e tjera të rajonit marrin vlerësime për progres të prekshëm në raport me BE-në. Kjo krijon një kontrast mes ‘politikës së perceptimit’ dhe ‘politikës së rezultateve’.
Arsyeja e ‘mbytjes’ së lajmit të Malit të Zi që po anëtarësohet vetëm 20 vite pas pavarësisë, është fakti se, Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit e ka penguar pikërisht Edi Rama, njeriu i cili për interesat e tij personale, ka vendosur që të bllokojë hetimin e Belinda Ballukut, duke mos i hequr imunitetin dhe ky vendim ka bërë që disa prej vendeve kryesore të BE-së të vendosin për bllokimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë.
Në plan më të gjerë, kjo tregon edhe rolin e medias në ndërtimin e prioriteteve publike. Kur një kompliment për veshjen merr të njëjtën, ose më shumë vëmendje sesa një zhvillim strategjik si integrimi europian, atëherë kemi një zhvendosje të fokusit që ndikon edhe në mënyrën si qytetarët e perceptojnë realitetin politik.
Në fund, këto dy lajme nuk janë thjesht episode të izoluara, por simptoma të një dinamike më të thellë:
një rajon ku disa vende po maten me standarde konkrete integrimi, ndërsa të tjera mbeten të kapura në ciklin e narrativave simbolike dhe menaxhimit të imazhit të liderit që e ka shpallur veten të gjithëpushtetshëm dhe që ka vendosur në Shqipëri një regjim qartësisht autokrat.