Yamal humb ‘El Clasico’-n, Barcelona në krizë dëmtimesh në spritnin final
Një fitore me vlerë të madhe për Barcelonë ndaj Celta Vigo-s është kthyer në një makth për skuadrën katalanase, për shkak të një vale dëmtimesh që ka goditur rëndë ekipin në momentin më delikat të sezonit në LaLiga.
Katalanasit siguruan tri pikë vendimtare në garën për titull falë një penalltie të realizuar në pjesën e parë, duke ruajtur avantazhin prej nëntë pikësh ndaj Real Madridit. Megjithatë, suksesi ka ardhur me një kosto shumë të lartë.
Lajmi më i rëndë është dëmtimi i Lamine Yamal-it, i cili u detyrua të largohej nga fusha menjëherë pas realizimit të penalltisë. Sipas raportimeve mjekësore, sulmuesi i ri ka pësuar një çarje në muskujt e pasmë të kofshës dhe pritet të mungojë për një periudhë të gjatë. Ai nuk do të jetë i gatshëm për ‘El Clásico’-n dhe ekziston frika serioze se mund të humbasë pjesën e mbetur të sezonit.
Trajneri Hansi Flick u shpreh i shqetësuar pas ndeshjes, duke theksuar se lojtari ndjeu menjëherë dhimbje dhe se priten ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar saktësisht kohën e rikuperimit.
Problemet për Barcelonën nuk ndalen këtu. Gjithashtu, Joao Cancelo u detyrua të linte fushën për shkak të një dëmtimi, duke shtuar mungesat në repartin mbrojtës. Ndërkohë, Eric Garcia do të mungojë ndaj Getafe-s për shkak të pezullimit me kartonë.
Këto mungesa u shtohen atyre të mëparshmeve si Raphinha dhe Andreas Christensen, duke e vënë skuadrën në një situatë shumë të vështirë në një fazë vendimtare të kampionatit.