‘Sot policia i shërben pushtetit’, Baçi: Balluku bashkëkryeministre në hije, emëroi Hitën në krye të DPPSH

Policia e Shtetit është vënë në qendër të akuzave të rënda për politizim të skajshëm dhe ndërthurje me krimin, duke arritur deri aty sa eksponentë të saj dyshohet se rekrutojnë fëmijë për të shitur drogë. Ky denoncim u bë gjatë një interviste të deputetit të PD Luan Baçi, në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv. Ai tha se institucioni i rendit nuk funksionon më si "Policia e Shtetit", por si "Policia e pushtetit", plotësisht në shërbim të partisë në qeveri.

Sipas tij, kjo situatë është më flagrante në qarkun e Fierit, ku policia është implikuar më shumë në aktivitete të jashtëligjshme sesa në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit. Ai e përshkroi policinë si një strukturë të mbushur me "patronazhistë", ku emërimet dhe veprimet bëhen bazuar në afërsinë dhe shërbimet ndaj Partisë Socialiste.

Një pikë kyçe e denoncimit ishte emërimi i drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili më parë drejtonte policinë e qarkut të Fierit. Sipas Baçit, ky emërim nuk ishte surprizë dhe vjen si shpërblim për rolin e luajtur në Fier, një qark që ai e cilësoi si "simbol i grabitjes dhe vjedhjes së votave".

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Baçi e lidhi këtë emërim direkt me figurën e ish ministres Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si një "bashkëkryeministre në hije" me kompetenca të plota dhe me aksione të përbashkëta me kryeministrin Edi Rama. Ai pretendoi se Balluku "pushtoi" qarkun e Fierit gjatë fushatës zgjedhore, duke zbarkuar atje me qindra punonjës të administratës qendrore për të ushtruar presion për vota, me bekimin e plotë të policisë lokale.

Flavio Qarri: Rikthehemi në transmetim të drejtpërdrejtë miq të dashur, të flasim pak për këtë policinë e çuditshme të shtetit. Dhe situata veçanërisht në qarkun e Fierit, sidomos edhe me zgjedhjet e fundit, duket se e ka implikuar më shumë policinë në çështje që s'kanë të bëjnë fare me rendin dhe sigurinë publike, por me aktivitete të jashtëligjshme. Luan Baçi ka qenë nga ata që ka folur në fakt që në krye të herës për këtë çështje, ndaj e kemi risjellë sot në studio. Shohim që kemi eksponentë të policisë të cilët rekrutojnë fëmijë për të shitur drogë. Tani, kjo skemë, më duket mua apo është pak e vështirë që të jetë një rast i izoluar?

Luan Baçi: The pak më parë, Policia e Shtetit, me të drejtë. Unë do të thoja që është Policia e pushtetit. Po të ishte Policia e Shtetit, absolutisht do të kishte një tjetër qasje me qytetarët, një tjetër qasje me ligjin, një tjetër qasje me kushtetutën. Në fakt është një polici e pushtetit 100% dhe kjo duket që në emërimet e tyre, duket tek drejtuesit e tyre, duket tek punonjësit e policisë. Madje shumë punonjës edhe të thjeshtë të policisë, ky pushtet dhe këta politikanë janë përpjekur, janë interesuar që të jenë sa më afër Partisë Socialiste, me lidhje familjare me Partinë Socialiste, pra të jenë patronazhistë në kuptimin e plotë të fjalës dhe në kuptimin klasik të fjalës, patronazhistë. Pra, e shikojnë qytetarin si një kundërshtar që do që t'i marrë pushtetin dhe t'i prishi privilegjet. Parë në këtë këndvështrim, nuk mund të presësh asgjë ligjore nga këta punonjës policie. Unë nuk ngarkoj me faj punonjësit e thjeshtë të policisë, absolutisht, madje dhe këta që bëjnë vepra të tilla kriminale, të turpshme, të rekrutimit të fëmijëve, të shitjes së drogës në shkolla. Por këtu është politika që ndjek pushteti, partia në pushtet, politika që ndjekin drejtuesit.

Dhe marrim si shembull Fierin. Me gjithë këto probleme, me gjithë këto skandale që ndodhin në Fier dhe mos harroni që drejtorin e policisë së qarkut të Fierit sot e kemi Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Po pra, i njëjti në zgjedhjet e 2025-ës.

Flavio Qarri: Ju nuk u entuziazmuat kur e patë që u emërua?

Luan Baçi: Jo absolutisht, madje e kishim të pritshme, dhe shumë fjalë që thuheshin dolën në fakt, qysh në krye të herës kur flitej gjasme me atë ëh konkurrimin e famshëm që bëjnë gjasme...

Flavio Qarri: Po jo i doli emri në fakt, u tha që ky do jetë.

Luan Baçi: Po, dhe u tha që do të jetë Skënder Hita, drejtori, ish-drejtori i qarkut të Fierit do të jetë drejtor i përgjithshëm dhe vërtet drejtori i përgjithshëm u bë ai. Pse? Se e emëroi Belinda Balluku. Tashmë një pjesë të mirë të qeverisë, ka aksione të përbashkëta Belinda Balluku dhe Edi Rama. Unë do ta quaja Belinda Ballukun si një bashkëkryeministre në hije. Pavarësisht se Belinda dorëzoi atë detyrën e zëvendëskryeministrit dhe të ministres.

Flavio Qarri: Mori detyrë më të lartë.

Luan Baçi: Në fakt ka një detyrë patjetër më të lartë, po e ka pa përgjegjësi ligjore tashmë. Domethënë, nuk e kap dot kush se ka bërë një veprim. Si duket Belinda e ka si sëmundje profesionale që po pati vulë dhe firmë, vetëm do vjedhi. Nuk lëviz nga ajo dhe Rama në këtë drejtim është kujdesur për ta qetësuar një farë kohe, duke e lënë pa vulë dhe pa firmë, por me kompetenca të plota. Dhe kjo duket te mënyra se si sillet në qarkun e Fierit. Sot kam marrë vesh që do të ketë një mbledhje urgjente për shembull të Këshillit Bashkiak në Fier, ku vetë socialistët do të mblidhen dhe do të shkarkojnë kryetaren e Këshillit Bashkiak që e kanë vënë vetë, po nga Partia Socialiste. Është Belinda me Subashin në një luftë të papajtueshme për të treguar fuqinë, por në fakt me informacionin që kam që del se fuqia është nga ana e Belindës, pavarësisht se kryetarja e Këshillit Bashkiak të PS-së në fakt është një avokate e nderuar e qytetit të Fierit, pavarësisht se është socialiste e mirëfilltë, për hir të së vërtetës, historikisht socialiste, por është një avokate dhe një person i nderuar. Lexova një shkresë që sot do bëj një mbledhje të Këshillit Bashkiak dhe Këshillin Bashkiak e mbledh zëvendëskryetarja. Edhe me ligj, nuk mundet zëvendëskryetarja të bëjë një njoftim që t'i mbledhë. E bën kryetarja e Këshillit Bashkiak, se ajo është akoma kryetare e Këshillit Bashkiak, nuk është shkarkuar, do ta shkarkojnë sot. Ose në bazë të ligjit me firmat e dy të tretave të anëtarëve të Këshillit. Por këta nuk duan t'ia dinë në këtë drejtim dhe këtu duket dhe lufta brenda llojit te Partia Socialiste, por këtu duket edhe superfuqia Belinda Balluku që vazhdon të jetë e tillë. Parë në këtë këndvështrim, unë mendoj se nuk pritet gjë edhe nga kjo polici, aq më tepër tashmë që në krye të policisë kemi drejtorin e policisë së qarkut të Fierit, të qarkut të dytë më të madh në Shqipëri, të qarkut që ishte simbol i grabitjes dhe i vjedhjes së votave në 11 maj të 2025-ës.

Flavio Qarri: Vërtetë, në Fier kishte gjithçka, drejtorë të administratës qendrore. Kriminelë...

Luan Baçi: Po, absolutisht. Belinda Balluku në Fier ka zbritur me qindra, pushtoi qarkun e Fierit me qindra punonjës të administratës qendrore, jo vetëm të dikasterit të saj që drejtonte, po dhe nga dikastere të tjera, pasi ishte e plotpushtetshme dhe e plotfuqishme. Nga tatimet kishte hajdutin tjetër Ceno Klosin që e kishte me vete dhe gjithë ekipin që kishte marrë me vete, kishte një ekip profesionistë, hajdutësh, presionaxhinj, shantazhxhinj për votat e Partisë Socialiste dhe bëri atë që bëri....