Tiranë/ Magazinierët bëhen hajdutë! Vjedhin 40 mijë kg kafe, fituan 800 mijë euro në 3 vite
Dy magazinierë u arrestuan pasi akuzohen se kanë vjedhur 40 mijë kg kafe në subjektin ku punonin. Më pas ata e shitën me ndihmën e një të treti, duke përfituar 800 000 euro. Kjo veprimtari kriminale u krye përgjatë 3 viteve.
Ndërkohë procedohet në gjendje të lirë shpërndarësi.
Ka qenë administratori i subjektit në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, që kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti dhe kishte bërë kallëzim penal.
Policia ka publikuar pamje të kamerave të sigurisë ku dy persona nxjerrin nga magazina pakot me kafe.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro, informoi sot policia.
-u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës.
Operacioni i koduar 'Inventari' u ndërmor nga specialistë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare.