Cunningham shkëlqen, Detroiti thyen ‘mallkimin’ dhe barazon serinë ndaj Orlando-s

Detroit Pistons rikthehen fuqishëm në garë në play-off-et e NBA, duke mposhtur Orlando Magic me rezultatin 98-83 dhe duke barazuar serinë në 1-1.

Heroi i mbrëmjes ishte Cade Cunningham, i cili zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme me 27 pikë, 11 asistime dhe 6 kërcime, duke treguar pse konsiderohet ‘ylli’ kryesor i skuadrës nga Detroiti. Kjo fitore ka edhe një vlerë historike, pasi Pistons i dhanë fund një serie prej 11 humbjesh radhazi në shtëpi në play-off, një ecuri negative që zgjaste që nga viti 2008.

Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në periodën e tretë, ku Detroiti dominoi plotësisht, duke e kthyer një duel të barabartë në një fitore bindëse. Perioda përfundoi 38-16 në favor të vendasve, me gjashtë lojtarë që kontribuan me të paktën pesë pikë në atë interval.

Ndryshe nga ndeshja e parë, këtë herë Cunningham pati mbështetje të madhe nga skuadra: Tobias Harris shënoi 16 pikë, ndërsa Jalen Duren dhe Ausar Thompson shtuan nga 11 secili. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Duncan Robinson dhe Isaiah Stewart me nga 10 pikë.

Nga ana tjetër, Orlando pati një mbrëmje për t’u harruar. Jalen Suggs (19 pikë) dhe Paolo Banchero (18 pikë) ishin më të mirët, por me efikasitet të ulët në gjuajtje. Ekipi realizoi vetëm 33% të tentativave nga fusha, duke regjistruar një nga paraqitjet më të dobëta të sezonit.

Seria tani zhvendoset në Florida, ku do të zhvillohen dy ndeshjet e radhës. Për Detroitin, synimi është i qartë: të thyejë një tjetër pritje të gjatë dhe të sigurojë kalimin në raundin e dytë për herë të parë pas 18 vitesh.

Skuadra kampione e Oklahoma City Thunder fitoi edhe çerekfinalen e dytë play off ndaj Phoenix dhe tashmë udhëheq 2-0 serinë e takimeve mes tyre. Një ndeshje e komanduar në përgjithësi nga vendasit, që i shfrytëzuan në maksimum dy ndeshje në shtëpi. Brooks me 30 pikë u dallua për Phoenix, por që s’mjaftuan për të fituar. Për Oklahoma, i zakonshmi Alexander Shai, realizoi 37 pikë, duke qenë lider për skuadrën e tij.